Kërcënimi, blindohet familja Tahiri; Prokuroria autorizon RENEA-n

Kërcënimi ndaj ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, pavarësisht se me një mesazh telefonik, është marrë seriozisht nga organi i akuzës. Familjes Tahiri i është dhënë mbrojtje e menjëhershme.

Urdhri i Prokurorisë ka autorizuar forcat speciale RENEA të ruajnë banesën e ministrit të Brendshëm. Në këtë angazhim të forcave elitë të policisë shqiptare është përfshirë edhe banesa e të atit, i cili ishte i sulmuari i pari në këtë çështje.

Në procedurë, nga Prokoruria e Përgjithshme ka nisur edhe dhënia e statusit të të mbrojturit, çka do të nënkuptojë, se mbrojtja ndaj ministrit dhe familjes së tij do të jetë për një kohë të pacaktuar, për vite me radhë, edhe kur Saimir Tahiri do të përfundojë detyrën si ministër i Brendshëm.

Statusi, sipas prokurorisë, do të jepet pasi ka dyshime të forta se kërcënimet ndaj familjes Tahiri janë tepër serioze. Zanafilla nis me tritolin e vendosur në farmacinë e të atit, për të cilin më vonë u akuzua familja Gjuta.

Policia arrestoi në kohë të shpejtë shtatë persona nga kjo familje, ndërkohë që është shpallur në kërkim Vladimir Gjuta, personi i konsideruar si ideatori i atentatit ndaj biznesit familjar të familjes Tahiri. Gjatë kësaj periudhe policia ka ushtruar disa herë kontrolle për kapjen e këtij të fundit, por pa rezultat.

Leave a Reply