Koronavirusi në Evropë/ 14 viktima në Itali, zgjerohet harta e vendeve me të infektuar

Numri i rasteve të koronavirusit në Itali ka shkuar në 528 dhe viktimat 14 ndërkohë që intensifikohen përpjekjet ndërkombëtare për të ndaluar përhapjen e virusit vdekjeprurës.

Rritja në Itali, vatrën më të madhe të infektimit në Evropë, përbën një rritje prej 25 për qindësh në 24 orë. Guvernatori i Lombardisë, Attilio Fontana, tha ndërkohë në një video në facebook se ai do të hynte në karantinë për dy javët e ardhshme, pasi një ndihmëse e tij kishte testuar pozitive për virusin. Lombardia, është rajoni më i prekur në Itali.

Disa vende evropiane po ashtu njoftuan për raste të virusit që e kishin origjinën në Itali. Autoritetet në Danimarkë komunikuan të enjten rastin e parë të koronavirusit, një burrë që kish vizituar Italinë.

Po ashtu edhe Rumania ka zbuluar pacientin zero, një 20 vjeçar që punonte në një restorant italian. Edhe në estoni është konfirmuar një rast i parë, por bëhet fjalë për një person të kthyer nga Irani. Infektimet e regjistruara të mërkurën, sipas OBSH, për të parën herë kanë kapërcyer ata në Kinë.

Pekini tani druan për një rikthim të virusit dhe ka vendosur të imponojë një periudhë 14 ditore vetë-karantine për të gjithë ata që kthehen nga vendet e goditura, përfshirë Italinë. Sipas të dhënave të fundit, kina është në kuotën e 78190 rasteve në total, mes të cilëve 2178 viktima.

Vetëm 10 raste të reja janë verifikuar 24 orët e fundit jashtë provincës së Hubeit, epiqendra e infeksionit ndërsa 411 raste janë konfirmuar në të gjithë vendin. E duket se masat e ndërmarra nga Xi Jinping, po funksionojnë. Jashtë Kinës, në total, janë regjistruar 2790 raste dhe 44 viktima, në rreth 40 vende të botës.

Greqia dhe Maqedonia e Veriut, kanë konfirmuar rastet e para të koronavirusit, të kthyer nga Italia. Po ashtu edhe Gjeorgjia.

Finlanda ka konfirmuar rastin e dytë të koronavirusit. Në Bruksel ndërkohë, eurodeputetët që kanë vizituar në 14 ditët e fundit katër rajonet italiane të konsideruara në rrezik, do të vendosen në karantinë 14 ditore.

Ndërkohë, në Korenë e jugut janë regjistruar 284 raste të reja, ritmi më i lartë i regjistruar deri më tani, duke e çuar totalin në 1261, mes tyre 12 viktima. Ndërsa në Iran, shifrat zyrtare flasin për 139 të prekur dhe 22 viktima.

Arabia saudite ndërkohë ka ndaluar pelegrinët e huaj të hyjnë në vend për pelegrinazhin e përvitshëm në Mekë duke thënë se nuk do që të kthehet në një Iran të dytë.

Leave a Reply