Korrupsioni, OSBE: Shqetësues regresi i Shqipërisë

Sipas Trasparency International “duke qenë vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Shqipëria ishte përmirësuar gjatë pesë viteve të fundit me pesë pikë. Por, krahasuar me një vit më parë ajo ka shënuar rënie për dy pikë, nga 38 në 36 në krahasim me vitin e kaluar. Kjo mund të jetë për shkak të një ngërçi politik që bllokoi disa reforma anti-korrupsion të ecin përpara. Me një proces të ri të vetingut dhe kuadrin institucional të kundër korrupsionit pothuajse të plotë, mbetet për t’u parë nëse Shqipëria do të përmirësojë rezultatin e saj në të ardhmen”, thuhet në raport.

“Fatkeqësisht, shumica e vendeve të Evropës Juglindore kanë pësuar regres në krahasim me një vit më parë. Prirja negative në rastin e Shqipërisë është edhe më shqetësuese, pasi përmbys përmirësimin e dukshëm në perceptimin e korrupsionit mes viteve 2013 dhe 2016“, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së ambasadori Bernd Borchardt, në një deklaratë të posaçme.

“Rezultatet e indeksit tregojnë se Shqipëria duhet të vijojë së reformuari sistemin e institucioneve të saj publike, i cili perceptohet si më i korruptuar sesa dy vjet më parë“, nënvizoi ambasadori Borchardt, ndërsa shtoi se reformat e ndërmarra, përfshirë këtu vetingun në sistemin e drejtësisë, duhen realizuar, si dhe të ngrihen institucionet e reja kundër korrupsionit: “Presim me padurim themelimin e institucioneve të reja kundër korrupsionit dhe vazhdojmë t’i bëjmë thirrje institucioneve publike dhe organeve ligjzbatuese në Shqipëri të vazhdojnë me zbatimin e reformave në drejtësi dhe reformave kundër korrupsionit në përputhje me rekomandimet dhe detyrimet ndërkombëtare të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit”, u shpreh zoti Borchardt.

Ai theksoi po ashtu rolin që mund të luajnë qytetarët edhe shoqëria civile në këtë drejtim: “Qytetarët shqiptarë duhet ta refuzojnë dhe denoncojnë korrupsionin pranë organeve qeveritare. Po ashtu, shoqëria civile duhet ta monitorojë vazhdimisht jetën publike në vend dhe të raportojë rregullisht sa i përket çdo çështjeje lidhur me korrupsionin, duke e mbajtur këtë temë në qendër të vëmendjes së publikut, si dhe duke mbështetur zhvillimin e legjislacionit, institucioneve dhe ekspertizës së fushës”, deklaroi ambasadori i OSBE-së./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *