Kosova bëhet anëtare me të drejta të plota e SEECP

Kosova është tashmë anëtare me të drejta të plota e Asamblesë Parlamentare të Grupit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Jug-lindore, SEECP.

Lajmi është komunikuar paraditen e kësaj të shtune në Tiranë nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe homologu i tij kosovar Kadri Veseli, që ka ndjekur punimet e kësaj nisme në kryeqytet.

“Është një arritje historike integrimi i Kuvendit të Kosovës në institucionet rajonale, si dhe pranimi i Kosovës me të drejta të barabarta në takimet e vendeve të tjera të Europës jug-lindore. Kjo do të ndihmojë ndjeshëm në integrimin e rajonit”, ka thënë Meta.

“Është një arritje e madhe. Falenderojmë të gjithë ata që na kanë mbështetur për t’u anëtarësuar në këtë Asamble. Falenderoj në veçanti shtetin shqiptar dhe në mënyrë personale zotin Meta”, ka thënë Veseli.

Lajmi është përshëndetur më pas edhe nga nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. “Kosova është anëtarësuar me të drejta të plota në SEECP. Kosova tashmë do të përfaqësohet nga Parlamenti i saj në nismat rajonale”, ka shtuar Balla.

Leave a Reply