Kosova nënshkruan MSA-në, por BE nuk e trajton si shtet të pavarur

E përgatitur që në pranverë kur dhe u bë publike përmbajtja e saj, pas shumë vonesash, vendet anëtare u pajtuan javën e kaluar duke i hapur rrugën firmosjes së Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit  mes Kosovës e Bashkimit Europian, në Strasburg, nga Përfaqësuesja e Lartë Mogherini dhe Komisioneri Hahn për palën europiane dhe kryeministri Mustafa e ministri Çollaku për palën kosovare.

MSA shënon mardhënien e parë kontraktore dhe mjetin e parë formal të dialogut politik mes Prishtinës e Brukselit. Në aspektin teknik, ajo do të jetë e ngjashme me marrëveshjet e vendeve të tjera.

Me këtë dokument do të rregullohen mardhëniet tregtare mes kosoves dhe BEsë, duke krijuar mundësi për shtetin e ri ballkanik që me aftësitë e veta të rrisë prodhimin dhe në vijim edhe eksportin drejt BEsë, të përfitojë një administratë më profesionale dhe thellon bashkëpunimin në shumë fusha, me synim përafrimin e standarteve të vendit me ato europiane. Zbatimi i saj pritet t’i sjellë Kosovës prosperitet ekonomik, siguri ligjore, stabilitet politik, e  një qeverisje llogaridhënese  për qytetarët.

Por ajo dallon thelbësisht me MSAtë e deritanishme, pasi nuk e trajton Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur dhe nuk lë as ndonjë element për t’u trajtuar si e tillë, më vonë. Një tekst i tillë ka siguruar vendet anetare, që nuk e njohin Kosovën, se qëndrimet e tyre rreth statusit nuk do të paragjykohen. Prandaj, në të nuk ka zotime politike formale për integrimin e Kosovës në BE, ndryshe nga MSA-të me vendet tjera të rajonit, perfshire Shqipêrine, ku të gjitha, me përjashtim të Bosnjes, kanë bërë vendet me statusin kandidat për anëtarësim në Union.

Kjo justifikon dhe faktin pse marrëveshja nuk u nënshkrua nga përfaqësuesit e vendeve anëtare, por vetëm nga zyrtarët e institucioneve të BE-së dhe, ndryshe nga MSAtë e tjera, ajo nuk pritet të ratifikohet nga parlamentet nacionale të shteteve anëtare, por hyn në fuqi vetëm pas dhënies së pëlqimit nga Parlamenti Europian, siç pritet gjatë pranverës 2016.

Megjithë paqartësitë mbi procesin integrues të vendit, përderisa BE nuk e njeh ende Kosovën si shtet, ndërkohë që Traktati  BEsë përcakton vetëm kërkesë të “shteteve” për anëtarësim në Union dhe, në anën tjetër, vendimet e Këshillit të BEsë për procesin e zgjerimit, siç dihet, merren me unanimitet dhe 5 shtetet anëtare, që nuk e njohin ende pavarësinë, zor se do ta mbështesnin atë, gjithësesi, ky mbetet dokumenti më i rëndësishëm për raportet e Kosovës me Unionin, deri kur vendi të nënshkruajë traktatin e anëtarësimit në BE.

Leave a Reply