Kosova zotohet për zbatimin e strategjisë për parandalimin e terrorizmit

Strategjia Nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, parasheh që, në një segment të vetin, të përfshijë edhe edukimin dhe vetëdijesimin e brezave të rinj nëpër shkollat e Kosovës. Por, kjo pjesë e strategjisë, megjithatë ende nuk ka nisur të zbatohet në një shkallë më të gjerë në nivel të vendit.

Në Qeverinë e Kosovës janë zotuar se bashkë me faktorë të tjerë relevantë, do të punojnë për zbatimin e strategjisë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se aktivitetet rreth zbatimit të kësaj strategjie, do të zhvillohen së bashku me shoqërinë civile, me njerëzit që punojnë në arsim e edukim, si dhe me bashkësitë fetare në Kosovë.

Edon Miftari, këshilltar për siguri i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ministritë e linjës, në veçanti ajo e Arsimit në grupin e punues që do të jetë në terren, do të përfshij personalitete të ndryshme që do të ligjërojnë para nxënësve.”Ministritë dhe organizatat e ndryshme që janë pjesë kyçe e zbatimit të strategjisë, do të mund të themelojnë grupe punuese të brendshme. Ministria e Punëve të Brendshme tashmë e ka themeluar një grup punues, i cili koordinon aktivitetet e ministrisë, në raport me përgjegjësit që i kanë në kuadër të strategjisë”.

“Ministria e Arsimit me OJQ-të e ndryshme dhe partneret e tjera të MASHT-it është në fazën e identifikimit të prioriteteve që do t’i ndërmarrin në shkollat fillore, të mesme e të tjera që të punojnë në rrafshin e edukimit”, thotë Miftari.

Zyrtarë në Ministrinë e Arsimit thonë se janë të gatshëm që t’i kryejnë të gjitha obligimet që u takojnë, por nuk e dinë ende se si do të formohen epiket e ligjëruesve.

“Aktualisht, ende nuk janë të caktuar [ligjëruesit], gjithçka do të caktohet në bashkëpunim me grupin, i cili është i caktuar në kuadër të Qeverisë, por edhe me partnerët tanë që janë duke e ndihmuar këtë proces”, shpjegon këshilltari politik i ministrit të Arsimit, Kushtrim Shkodra.

Ai thotë se si Ministri e Arsimit, do të punohet shumë në mënyrë që nxënësit e Kosovës të jenë të vetëdijesuar dhe të mos bien pre e grupeve ekstremiste.”Do të ketë takime dhe ligjërata nga ekspertë të ndryshëm në shkolla. Ministria e Arsimit, në bashkëpunim edhe me drejtoritë komunale, do të ofrojë të gjitha mundësitë që ekspertët e caktuar të japin ligjëratat e tyre për nxënësit e shkollave të mesme të ulëta dhe atyre të larta”, thotë Shkodra.Sociologët konsiderojnë se ekzekutivi i vendit, kur bëhet fjalë për ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin që shpie në terrorizëm, duhet të prezantojë plane konkrete, në kuptimin e vetëdijesimit të të rinjve në shkolla, në të gjitha nivelet.

Ismail Hasani, profesor i Sociologjisë së religjionit në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se nëse ligjëratat e ndryshme bëhen nga persona që nuk janë të thirrur për atë punë, dhe nuk bazohen në module të veçanta, ndikimi te nxënësit mund të jetë negativ.

“Temat e tilla do të duhej të elaboroheshin nga ekspertët e fushave që përkojnë me problemet e ekstremizmit. Do të thotë, shpjegimi i fenomeneve fondamentale të çështjes së besimit, të mënyrës së kapjes së besimit, përvetësimit të besimit, predikimit të besimit, kufizimeve të cilat tejkalojnë predikimin, që tejkalojnë caqet e lirisë së tjetrit. Probleme këto që, në kontekstin e përgjithshëm shoqëror, mund të afektojnë rininë e të gjitha niveleve”, vlerëson Hasani.

Profesori Hasani tërheq vërejtjen se gjatë zbatimit të strategjisë nuk duhet të gabohet, e në institucione arsimore të shkojnë klerikët fetarë për të ligjëruar rreth pasojave të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.”Për fat të keq, Kosova ka shumë pak njerëz që merren me këto probleme në mënyrë profesionale. Ne nuk mund të dërgojmë në shkolla priftërinj dhe hoxhallarë që t’u flasin të rinjve që të mos u bashkohen grupeve ekstremiste, sepse mund të prodhojnë efekte negative. Do të thotë, vetë prania e klerit në shkolla, do të thotë se diçka po ndodh. Kjo mund të bëhet nëpërmjet shpjegimit të moduleve mësimore të veçanta, dhe me to të merren njerëzit kompetentë”, shton Hasani.

Edhe Fadil Maloku, profesor në departamentin e Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, konsideron se kur flitet me të rinjtë për ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin që shpie në terrorizëm, nuk duhet të përfshihet vetëm politika.

“Vetëdijesimi i të rinjve nuk bëhet me ligjërime boshe dhe me përralla të tipit që kinse prodhojnë reperkusione sigurie dhe stabiliteti. Kështu që, kam përshtypjen që vetëm qasja politike, pa inkuadrimin e ekspertëve, si; sociologë, psikologë, politologë, pedagogë, e të tjerë, është e kotë dhe e gabuar”, thotë Maloku, në një përgjigje me shkrim.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, organizatë joqeveritare që vepron në Kosovë, konsideron se në përgjithësi Kosova mund të merret si shembull i mirë se si duhet qasur luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.

Kjo organizatë, në bashkëpunim me zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka zhvilluar një fushatë avokimi në çdo komunë, për vetëdijesimin e shoqërisë rreth asaj se çfarë mund të bëjë shoqëria në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Vesë Kelmendi, hulumtuese në këtë organizatë, thotë se temat dhe debatet, të cilat janë organizuar në shumë shkolla të mesme të komunave të Kosovës, për ekstremizmin e dhunshëm, kanë pasur sukses.

Kelmendi shton se edhe interesimi i të rinjve në këtë rrafsh ka qenë i kënaqshëm.”Disa nga nxënësit nuk kanë pasur informacione të sakta se çka në fakt është ekstremizmi. Por, kjo ka ndryshuar pas debateve që janë zhvilluar. Esenca e këtij organizimi ka qenë që debati të zhvillohet ndërmjet nxënësve, me qëllim që të arrihet të kuptohet më saktë se çka mendojnë të rinjtë rreth fenomenit të ekstremizmit”.

“Ne mendojmë se trajnimi ka pasur shumë sukses dhe është mirëpritur. Ka pasur ndoshta kundërshtime për trajtimin dhe mënyrën se si ka ardhur çështja deri te ekstremizmi, por në fund [debatuesit ] kanë arritur një pajtim rreth debatit”, shton Kelmendi.Sipas të dhënave nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga shoqëria civile, që nga viti 2012 e deri më tash, numri i shqiptarëve nga Kosova që i janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste, në Siri dhe Irak, është rreth 300 syresh.

Rreth 50 prej tyre janë deklaruar të vrarë gjatë luftimeve atje.

Institucionet e Kosovës kanë miratuar Ligjin, me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja.

Nga shumica e komunave të Kosovës, të banuara me shumicë shqiptare, vetëm dy prej tyre, Podujeva dhe Drenasi, thuhet se nuk janë përballur deri më tash me problemin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. /Gazeta Express

Leave a Reply