Aktivistët e Vetëvendosjes flasin për orgjinë dhe drogën në zyrat e partisë

Pas deklaratave për ngacmime seksuale brenda Lëvizjes Vetëvendosje, krahas skandaleve të mëdha për të cilat po përflitet në këtë parti, dorëheqja e disa prej aktivistëve më të zëshëm i dha edhe një grusht të fortë VV-së. Por kjo nuk ishte e tëra. U mësua se aktivistët përdornin drogë dhe bënin orgji në zyrat e partisë, shkruan Gazeta Express.

Në Vetëvendosje kanë shpërthyer akuza të reja, tepër të rënda. Së fundmi ka akuza për përdorim droge dhe orgji në zyra. Në përgjithësi akuzat drejtohen nga dy kahe, grupi i Molliqajt sulmon atë të Kurtit dhe e kundërta.

Gazeta Express ka kontaktuar të dy nga këto taborë, Nol Nushin, që dje dha dorëheqje nga pozita e koordinatorit të Sekretariatit të Përgjithshëm dhe Valdrin Ahmetin që radhitet në krahun e Albin Kurtit.

Nol Nushi, ndaj të cilit drejtohen edhe këto akuza, së bashku me të dorëhequrit e tjerë, bëri të ditur për Express se ai nuk e ka idenë se kush është aktivisti në fjalë.

Ai madje thotë se mund të jetë thjesht ndonjë profil fals në Facebook.

Në kryesi, sipas tij, nuk ka pasur asnjëherë raste të tilla për të cilat ai ka informacione.

“Nëse veç ka pasur raste të rralla, ato i di Nazlie Bala, atë detyrë e ka pas, 30 mijë anëtarë i ka VV”, tha ish-anëtari i Vetëvendosjes.

Në anën tjetër, nga ana e Albin Kurtit, për Express komenton aktivisti Valdrin Ahmeti që deklaron se nëse tashmë ka pasur ndonjë rast të tillë, me të duhet të merren organet disiplinore.

“Nëse veç Fadili apo kushdo tjetër dinë raste të tilla ne i kemi organet disiplinore, le të lajmërojë aty rastet dhe organet i marrin masat e nevojshme”, tha ai.

Ahmeti, gjithashtu, ka bërë thirrje që këto raste të adresohen menjëherë nga aktivistët.

“Nëse ka diçka të tillë, unë i ftoj të gjithë aktivistët t’i adresojnë këto te organet”, përfundon ai.

Aktivisti Fadil Robelli, mbrëmë përmes Facebook-ut, hodhi akuza të rënda në grupin e të dorëhequrve të radhitur në krahun e Dardan Molliqajt.

“Linqim aaaaa!!!! Janė këta të Zyreve të cilêt për deri sa Albini e ne të tjerët pervilnim krahët duke u takuar me Qytetarët e duke dëgjuar hallet e tyre këta bënin sex në treshe dhe i qeponin barit nepër Zyre”, shkroi Robelli.

E ditë më parë ai tha se po largoheshin klika e abuzuesve të fondeve nga VV-ja, që kishin falsifikuar dokumente, duke i cilësuar klikë e faqeve të zeza.

“Largohet klika e orgjive. Klika e sex-it treshe. Klika e abuzuesve të fondeve të LV. Klika e falsikuesve të dokumentave( 11 veta nga Klika posedonin iD tê falsifikuara të Policis dhe nëpër Tubime paraqiteshin si Polic të SHPK). Klika e barit. Klika e Diplomave falso. Klika e heroinês. Klika e faqeve tê zeza. Kaq janë nuk ka ma shumë! Tash ka shprese, kishte shkruar ai përmes Facebook-ut në disa postime që i kishte fshirë më vonë, siç duket pas kritikave nga partia.

Express ka tentuar të kontaktojë edhe vetë aktivistin Fadil Robelli, mirëpo ai nuk ka qenë i qasshëm.

Edhe pse nga Vetëvendosja ishte vetë ‘baba’ i partisë që ngriti zërin për ngacmimet seksuale brenda subjektit që ai drejton, pas lajmit për drogë e orgji në zyra, Nazlie Bala, drejtuesja e Sekretariatit të Gruas Aktiviste, u distancua duke u deklaruar se nuk janë të vërteta këto lajme. Ajo ka thënë se pabarazia gjinore dhe ngacmimet seksuale nuk lidhen në asnjë mënyrë me seksin.

Tashmë kriza në Vetëvendosje është thelluar edhe më shumë. Dardan Molliqaj bëri të ditur se mundësitë për bashkim nuk ekzistojnë, e në media tash e sa ditë po flitet për krijimin e një partie të re socialdemokrate, të udhëhequr nga Visar Ymeri ose nga Molliqaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *