Kosovë, AAK: Pjesëmarrje e ulët në arsim, shqetësuese

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se në Kosovë ka pjesëmarrje të ulët në arsim, sidomos në atë të detyruar dhe ky fakt paraqet shqetësim të madh.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në konferencë për media tha se ajo që na shqetëson shumë është moszbatimi i ligjit për pjesëmarrje në arsim. Problem tjetër, sipas Haradinajt, është edhe siç tha ai politizimi i arsimit në të gjitha nivelet.

Ndërsa kryesuesi i Departamentit për arsim në AAK, Jonuz Salihaj tha se programi qeverisës nuk ka gjë tjetër veç synimeve, që siç tha ai, nuk kanë as afat kohor për realizmin e tyre.

Departamenti për Arsim i këtij subjekti, vlerëson se testi i arritshmërisë dhe ai i maturës kanë konfirmuar se cilësia e Arsimit në Kosovë, aktualisht është shumë e ulët.

Shqetësuese mbetet përqindja e pjesëmarrësve në arsimin parashkollorë, që sipas Salihajt është më e ulëta në Evropë, vetëm 3 për qind.

Programi qeverisës në fushën e arsimit sipas AAK-së është program teorik i cili, sipas këtij subjekti po përsëritet me atë të 2008-ës.

Për gjendjen aktuale në fushën e arsimit, Jonuz Salihaj kritikoi ministrin e arsimit Arsim Bajrami dhe qeverinë e Kosovës, pasi sipas tij nuk është bërë asgjë për unifikimin e sistemit arsimor.

Departamenti për arsim i AAK-së ka vlerësuar se duhet të ndryshohen shumë ligje në fushën e arsimit në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *