Krijimi i Asosacionit të Komunave, kryetarët serbë: Mustafa e Vuçiç të konsultohen me ne

Kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe kërkojnë nga qeveria e Kosovës dhe e Serbisë që në takimin e ardhshëm mes dy kryeministrave të arrihet marrëveshja për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Në një komunikatë të përbashkët dërguar mediave, ata vazhdojnë t’i referohen Kosovës si “Kosovë e Metohi”, ndërsa theksojnë rëndësinë e përfshirjes së tyre në konsultime për Asociacionin para vazhdimit të dialogut.

“Me qëllim të konstruktivitetit në procesin e rregullimit të shoqërisë dhe gjetjes së zgjidhjeve të qëndrueshme për përmirësimin e pozitës së popullit serb dhe bashkëjetesën normale në Kosovë e Metohi, ne propozojmë që ekipet negociuese të Beogradit dhe Prishtinës, para vazhdimit të dialogut në Bruksel të mbajnë takime konsultative me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova e Metohia”, thuhet mes tjerash në këtë deklaratë.

Nga ana tjetër, qeveria e Kosovës nuk jep sinjale se marrëveshja për krjimin e Asociacionit të Komunave me shumicë erbe mund të arrihet në takimin e dy kryeministrave më 25 gusht.

Në një prononcim përmes telefonit, ministrja për Dialog, Edita Tahiri tha se takimi i radhës ka në tavolinë tri tema, përveç Asociacionit edhe heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër dhe pengesat e Serbisë për zbatimin e marrëveshjes së energjisë.

Sa i përket Asociacionit, Tahiri shpjegoi se fillimisht palët duhet të pajtohen për dokumentin e parimeve mbi të cilin do të themelohet Asociacioni. Më pas, një ekip menaxhues i themeluar nga Ministria e Pushtetit Lokal në përbërje të katër përfaqësuesve serb harton statutin e Asociacionit i cili miratohet nga qeveria e Kosovës.

Një afat kohor prej 4 muajsh është caktuar brenda të cilit duhet të hartohet statuti, çka do të thotë se deri te krijimi i plotë i Asociacionit ka ende kohë. E ndërsa qeveria insiston se ky mekanizëm nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk përbën një nivel shtesë të pushtetit në Kosovë, opozita, në veçanti Lëvizja Vetëvendosje po përgatitet ta kundërshtojë ashpër atë.

Ky subjekt politik së fundi kërcënoi me veprime radikale nëse institucionet e Kosovës do të vendosin për formimin e Asociacionit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *