LDK kërkon shpërbërjen e Kuvendit, Veseli fton kryesinë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se qysh sot duhet të procedohet me shpërbërjen e Kuvendit.

Këto deklarime të Avdullah Hotit erdhën pas dështimit për t’u votuar rekomandimet e partive opozitare që kishin dalë pas debatit për rritjen e pagave para dy javësh. Në votim morën pjesë vetëm 46 deputetë numër ky i pamjaftueshëm për të marr vendim.

Megjithëse ishin në sallë në votim nuk morën pjesë deputetët e partive në pushtet me arsyetimin se po presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

Kështu pas dy herë tentimesh pa vota të mjaftueshme kryetari Kadri Veseli tha se kjo pikë do të mbetet e hapur për një herë tjetër, por partitë opozitare kanë thënë se nuk mund të vazhdohet me pika të tjera të rendit të ditës pa përfunduar ky votim.

“Ne duhet të procedojmë qysh sot për shpërbërje të Kuvendit sepse nuk ka asnjë kuptim të vazhdohet kështu. Nuk mund të kalojmë në pikën tjetër pa përfunduar kjo pikë. Nesër është vazhdimi i seancës tjetër ku është një listë e gjatë e ligjeve që nuk mund të votohen pa opozitën” tha Hoti.

LDK-ja ishte e para që e lëshoi sallën ndërsa pas tyre dolën deputetët e Vetëvendosjes.

I mbetur me pak deputetë në sallë, kryetari Kadri Veseli i ftoi të gjithë shefat e grupeve parlamentare në zyrën e tij për takim, derisa kryeministri Haradinaj tha se LDK e VV po bëjnë opozitarizëm të paargumentuar. Ai ka thënë se partitë opozitare edhe kur ka pasur ligje me rëndësi për qytetarët kanë pritur të shohin nëse pozita i ka 61 vota e nëse jo atëherë ata kanë pamundësuar votimin e shumë ligjeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *