Prokuroria e Policia japin detaje për aksionin në veri për rastin Ivanoviq

Policia e Kosovës në një konferencë për media, së bashku me Prokurorinë Speciale, kanë bërë të ditur detaje nga aksioni në veri të Mitrovicës nga ku u arrestuan katër persona, shkruan Gazeta Express.

Në këtë konferencë kanë konfirmuar se kanë arrestuar tre persona të lidhur me rastin Ivanoviq dhe një person që ka penguar në kryerje të detyrës zyrtare.

Gjithashtu, Policia ka bërë të ditur se nuk kanë gjetur Milan Radojiçiqin dhe ai është në arrati e për të kanë lëshuar fletarrest.

“Operacioni ka rezultuar të jetë i suksesshëm, janë përdorur mjete dhe metoda të parapara me procedurat dhe ligjet në fuqi, nuk ka pasë asnjë zyrtar policor të lënduar, gjithçka ka shkuar sipas planifikimit edhe përkundër rezistencës së hapur në një nga vendet ku ka ndodhë bastisja”, thanë zyrtarë të Policisë.

Ndërkaq, prokurori special Sylë Hoxha ka thënë se nga data 13 mars kanë këtë rast dhe nga atëherë ka filluar grumbullimi i provave duke pohuar se kanë pasur edhe disa vështirësi.

“40 dëshmitarë janë dëgjuar kryesisht nga pjesa veriore lidhur me këtë rast. Policia ka marrë aktvendim për të pandehurit që janë arrestuar për veprën penale vrasje të rëndë, Më datën 06.11 është marrë aktvendim për zgjerim të hetimeve”, tha prokurori Hoxha.

“Me datën 21.11 Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për kontroll në shtëpitë e të dyshuarve. Milan Radojçiq nuk është gjetur në banesën e tij dhe do të vazhdojë kërkimi për të. Gjatë bastisjes apo arrestimit për shkak të vështirësive në terren nuk është arritur të arrestohet një person me inicialet S.A që vazhdohen të mbetet në kërkim”, ka përfunduar ai. /Express/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *