Thaçi zbut deklaratat ndaj Haradinajt, nuk thotë më se duhet të korrigjohet

Po vazhdon kundërshtia në mes të Presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj për korrigjimin e kufijve me Serbinë. Megjithatë, ndryshe nga konferenca e para dy jave, ku presidenti thoshte se kryeministri duhet të korrigjohet, tash shprehet më butë.

Haradinaj tha sot se energjia e shpenzuar për idenë e korrigjimit, do të ishte më mirë të adresohej te njohjet nga pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.

Mirëpo, Thaçi nuk ka dashur të komentojë këtë deklarim të Haradinajt, por vetëm ka thënë se “edhe kryeministri e do dhe e respekton Luginën”.

Kështu Thaçi u shpreh pas takimit me përfaqësues të Shoqatës së Gazetarëve dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile të Luginës së Preshevës.

“Edhe kryeministri (Haradinaj), kam biseduar, ju donë dhe ju respekton, kështu që nuk është ndonjë shqetësim në këtë drejtim, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Por, ajo që dëshiroj të them, është se ideja për korrigjimin të kufirit definitivisht e shmang skenarin e ndarjes së Kosovës, idenë e Beogradit e të Rusisë, e mbi të gjitha atë të gjitha atë të themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe  me elemente ekzekutive, diçka e tillë që pretendohet të ndodhë, por natyrisht edhe shkëmbimi”, tha ai.

Madje, Thaçi është i mendimit se bashkimi me Luginën ka ndikim pozitiv në rrugën e Kosovës drejt BE-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *