Kosovë, aktivistët e Vetëvendosjes grumbullohen para selisë së tyre

Pas lajmit të publikuar në media se Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhër-arrest për deputetët e Vetëvendosjes Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Faton Topalli dhe Donika Kadaj Bujupi e AAK-së, aktivistë të Vetëvendosjes janë grumbulluar për disa orë para selisë së tyre në Prishtinë.

Aktivistëve u janë bashkangjitur edhe kryetari i VV-së, Visar Ymeri, kryetari i komunës së Prishtinës nga radhët e VV-së, Shpend Ahmeti, nënkryetari i VV-së, Driton Çaushi dhe zyrtarë tjerë nga kjo lëvizje.

Ndërkohë, në orët e pasdites liderët opozitarë kanë mbajtur një takim në zyrat e Vetëvendosjes për të diskutuar zhvillimet e fundit. Në konferencën për mediat pas takimit, kryeari i VV-së, Visar Ymeri tha se në Kosovë nuk mund të ketë normalitet përsa marrëveshjet për asociacionin dhe demarkacionin kërcënojnë republikën me zhbërje.

Lideri i Nismës për Kosvën, Fatmir Limaj, i ka bërë thirrje prokurorisë që të mos bëhet instrument i politikës duke ndjekur opozitën, por të fillojë hetimet për ata që kanë shkelur Kushtetutën.

Ndërsa lideri i AAK-së Ramush Haradinaj tha se opozita është e vendosur të vazhdojë kundërshtimin e marrëveshjeve, duke i bërë thirrje dyshes PDK-LDK të mendojë në mënyrë që të mos thellohet shteti në krizë më të madhe. Ai ka shtuar se Kushtetuta dhe territori mbrohen me të gjitha mjetet.

Ndërkohë që zyrtarët e Gjykatës Themelore as nuk e pohojnë e as nuk e mohojnë lajmin për fletë-arrestet, aktivistët janë shpërndarë dhe situata ka filluar t’i kthehet normalitetit në kryeyqytetin kosovar.

Leave a Reply