Kosovë, arsimi sërish në grevë; qeveria: Veprim i papranueshëm

Mësimdhënësit në Kosovë sërish kanë hyrë në grevë për shkak se qeveria ende nuk u ka paguar përvojën e punës, siç u ishte premtuar me kontratën kolektive.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jashari ka njoftuar se nga 1125 shkolla të arsimit parauniversitar, vetëm 16 prej tyre nuk i janë bashkuar grevës. Ndërsa nga arsimi universitar, vetëm katër fakultete nuk kanë aderuar në këtë nismë.

Por qeveria shprehet e habitur me vendimin e sindikatës për grevë, pasi pagat e mësimdhënësve me rritje dalin të enjten, që është dita e fundit e muajit prill.

“Një gjë është e qartë se shkollat ne nuk i kemi për të paguar pagat për arsimtarë. Shkollat ekzistojnë për t’iu dhënë mësim fëmijëve tanë. Ai është funksioni themelor i shkollës, që të sigurohet mësimi për fëmijët dhe jo që dikush të marrë pagën dhe të mos punojë dhe të mos mbajë mësim. Duhet të gjithë të kemi përgjegjësi për këtë, duhet të kenë përgjegjësi edhe punonjësit e arsimit, edhe organizatorët e grevës, sepse në bazë të ligjit, askush nuk mund të marr pagë dhe të mos bëjë punën për të cilën e merr atë”, deklaroi Mustafa.

Kryeministri Mustafa po ashtu u ka bërë thirrje mësimdhënësve se nuk mund t’i lënë në shtëpi rreth 420 fëmijë. Ndërsa ministri i Arsimit, Arsim Bajrami tha se mësimdhënësit kosovarë paguhen në nivel të rajonit dhe madje edhe më lartë.

“Implementimi i këtij vendimi, për të cilin s’kemi pasur asnjë dilemë në proces, ka pasur një keqkuptim teknik tek MF-ja, por është tejkaluar. Kjo çështje e bën krejtësisht të paarsyeshme dhe pa objekt grevën e thirrur nga sindikata e arsimit. Dhe unë shfrytëzoj rastin që edhe njëherë t’i ftoj të gjithë mësimdhënësit, të gjithë nxënësit që të mos humbin asnjë orë mësimi. Jemi në fund të vitit shkollor dhe të gjithë kemi përgjegjësi që ta përfundojmë me sukses atë. Qeveria e kaluar ka dyfishuar pagat në nivelin e arsimit. Pagat parauniversitare deri tek ato universitare janë të krahasueshme me rajonin, ndërsa në nivelin universitar mbi rajonin. Ndaj, të gjithë kemi përgjegjësi që duke pasur paga relativisht të mira të punojmë në ngritjen e standardit të cilësisë”, tha Bajrami.

“Ne mendojmë që kjo grevë është plotësisht e paarsyeshme. Unë po ju jap informatë që deri në muajin mars shtesën prej 0.3 për qind të përvojës së punës e kanë marrë vetëm 19 mijë arsimtarë. Kanë marrë 0.3 për qind të pagës së vitit 2010. Në përvojën e punës së këtyre 19 mijë arsimtarëve nuk është përfshirë përvoja prej vitit 2008 e këndej, pra kanë munguar 7 vite të përvojës së punës. Tani, me këtë vendim të qeverisë, me llogaritjet që dje kemi përfunduar në Ministrinë e Financave, në pagesën e përvojës së punës jo 0.3 për qind, por 0.5 do të përfshihen të gjithë arsimtarët. 24 mijë arsimtarë do të përfshihen, 4 mijë veta staf administrativ dhe teknik nëpër shkolla në të gjitha komunat. Është e papranueshme që 420 mijë nxënës sot mos të shkojnë në shkollë pa ndonjë arsye, sepse nuk ka ndonjë kauzë më”, vijoi më tej Avudllah Hoti, ministër i Financave.

Por kryetari i sindikatës, Rrahman Jashari ka thënë përmes telefonit për Top Channel se greva do të vazhdojë derisa të marrin pagat dhe të vërtetojnë nëse qeveria i ka kryer detyrimet e saj siç parashihet me kontratë.

Leave a Reply