Kosovë, partitë opozitare kundërshtojnë vendimet e Kryesisë së Kuvendit

Subjektet parlamentare opozitare me anë të një deklarate të përbashkët konsiderojnë se vendimet e së mërkurës të Kryesisë së Kuvendit janë absolutisht të papranueshme.

“Konsiderojmë se këto janë metoda të shtetit policor që dhunon deputetë, arreston kundërshtarët politikë dhe ndalon deputetët të futen në Kuvend. Kryetari i Kuvendit po e blindon këtë institucion duke e vënë nën mbikëqyrje policore. Policia po i mbivendoset demokracisë, kjo është e papranueshme”, thuhet në deklaratë.

“Trajtimi i tillë ndaj përfaqësuesve të zgjedhur të popullit është në funksion të “bosnjëzimit” të Kosovës, duke mbrojtur “Zajednicën” dhe në funksion të humbjes së integritetit territorial të Kosovës, duke i dhënë Malit të Zi rreth 10 mijë hektarë”, vazhdon deklarata.

Veprimi politik opozitar, në këtë deklaratë, përligjet si tërësisht legjitim, në mbrojtje të shtetit, të integritetit territorial të tij, si edhe në mbrojtje të karakterit qytetar e jo etnik të organizimit shoqëror e shtetëror.

“Etnizimi i territorit të shtetit, i cili po na servohet përmes këtyre marrëveshjeve, “de facto” është logjikë apartheidi dhe segregacioni në baza etnike, që nuk është as në interesin e shumicës e as të pakicës. Prandaj ne jemi të vendosur që të mos e lejojmë një gjë të tillë. Protesta jonë në Kuvend do të vazhdojë dhe nuk do të ketë kompromis pa u tërhequr marrëveshjet. Çdo tensionim i situatës, pas këtyre masave policore, është përgjegjësi e kryetarit të Kuvendit dhe qeverisë së Kosovës”, përfundon deklarata e VV-së, Nismës dhe AAK-së.

Leave a Reply