Kosovë, ratifikohet MSA; opozita braktisi seancën

Me 86 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, por pa prezencën e opozitës, Kuvendi i Kosovës ratifikoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, u zotuan se qeveria do të punojë me përkushtim në zbatimin e MSA-së.

Në këtë seancë me vetëm një pikë të rendit të ditës, në fillim ishte e pranishme edhe opozita, por pas deklarimeve të shefave të grupeve parlamentare, deputetët opozitarë u larguan nga salla dhe nuk morën pjesë në votim.

Ndërsa gjatë diskutimeve në seancë, përfaqësuesit e opozitës paraqitën shumë vërejtje për mënyrën e trajtimit të Kosovës në marrëveshjen e MSA-së.

Vendimit të deputetëve të opozitës për të lëshuar sallën nuk i është bashkuar deputeti i Vetëvendosjes Ilir Deda, i cili gjatë diskutimit tha se përfaqëson pjesën e opozitës dhe qytetarëve që nuk pajtohen me qeverinë, por e mbështesin MSA-në, e cila siç tha Deda, e trajton Kosovën si shtet.

Në seancën e ratifikimit të MSA-së në Kuvend ishte e pranishme edhe presidentja Atifete Jahjaga, por edhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ambasadorë të tjerë.

Presidentja Jahjaga, menjëherë pas ratifikimit të MSA-së, ka lëshuar një deklaratë për media, përmes së cilës ka vlerësuar se përtej simbolikës së fuqishme të orientimit pro evropian, ratifikimi i MSA-së duhet të shihet si fillim i një përkushtimi institucional dhe shoqëror për reforma të thella, të cilat do të forcojnë demokracinë dhe do ta përmirësojnë nivelin e qeverisjes dhe standardin e jetesës për secilin qytetar.

Leave a Reply