Përplasja e fortë/ Çfarë po ndodh tek Vetëvendosje?

Prej një jave partia më e madhë e Kosovës, madje për shumëkënd ajo që dukej më shpresëdhënësja dhe më idealistja është përfshirë në një konflikt të brendëshëm vëllavrasës. Përvijimi i dy grupeve, diferencat për komandimin e kësaj force politike prej tyre, dorëheqjet dhe kërcënimi me to, po trondisin partinë e Albin Kurtit që në qershor mori një rrezultat të shkëlqyeshëm në zgjedhjet e përgjithshme kurse pak javë më parë doli fituese në tre qytete.

Por ç’farë po ndodh realisht në Vetëvendosje, ku këtë të hënë janë shkruar parrullat e para kundër Kurtit nga anëtarë të kësaj organizate që mbrojnë moton: “S’ka Babë ka ide”. Duket sikur një grusht simpatizantësh që kanë një mbështetje të fortë tek aparati burokratik i partisë duan të kundërshtojnë pushtetin e pakufishëm moral të Albin Kurtit, madje të veprojnë edhe praktikisht duke penguar rikandidimin e tij për t’u ribërë kryetar i Vetëvendosjes, në zgjedhjet që do të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm. Njëri nga anëtarët e kryesisë së kësaj partie dardan Molliqaj e kërkoi hapur këtë në një nga mbledhjet e kryesisë duke kërcënuar “Nëse Albini kandidon, unë largohem nga lëvizja”. Me tone më të moderuara të njëjtin qëndrim mbajti gjatë një interviste televizive edhe kryetari ‘de facto’ i partisë, Visar Ymeri, i njohur deri më tani në publik si karahu i djathtë i Albinit.

 

Parrullat e sotme: “Ska Babe, ka ide”

“Është një konfikt më i hershëm sesa ky që është shpërfaqur në publik, -pohoi për lapsi.al një nga njerëzit kryesorë të Vetëvendosjes në Tiranë. Eshtë konfikti i një grupimi që tani që jemi bërë parti e madhe kërkojnë më shumë kompromise, me shtresën e biznesmenëve të korruptuar, me pushtetin e parasë dhe koorporatat që po zhvasin Kosovën. Ata janë ngritur kundër Albinit sepse ai përfaqëson linjën idealiste dhe pa kompromis me të keqen” këmbënguli ai.

Mirëpo nëse kjo përplasje ideore është e vërtetë, nga partia që kundërshtarët e konsiderojnë si një sekt illegal, nuk ishte shfaqur asnjë shenjë e kësaj beteje të nëndheshme.

Ajo plasi fundjavën e shkuar kur gjykata e Prishtinës vendosi për arresimin me burg të Albin Kurtit, për ngjarjet e goditjeve me gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit. Në një komunikim privat në “Viber”, kur ndërmjet drejtuesve të Vetëvendosjes u dha lajmi i burgosjes, nënkryetarja e partisë Aida Dërguti pyeti: “Po atë mutin a e arrestuan?”.

Mesazhet private dolën në media dhe këtu plasi katrahura. Militantët të revoltuar nuk e pranonin dot ofendimin e liderit shpirtëror (aq më tepër që ndodhej në burg) të cilin e trajtojnë me një lloj idhujtarie. Ata u lëshuan me sulme dhe ofendime të papara në rrjetet sociale ndaj Aida Dërgutit, që është njëkohësisht deputete dhe nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.

Kaq u desh që si qelbi që fshihet nën cipën e hollë të një puçre, gjithë mllefi të shpërthente.

Dërguti kërkoi falje dhe dha dorëheqjen nga funksionete saj në parti. Por në mesazhin që ajo bëri publik shpjegoi edhe arsyet e një battue që ishte shndërruar në përplasje ideore: “Një reagim i tillë imi vjen pas disa problemeve e mospajtimeve të thella politike e organizative që i kam me njerëz të caktuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE! Ka një kohë që brenda organizatës sonë po synon të instalohet një mënyrë e caktuar të menduarit e vepruarit politike që kushtëzon mosbesim e frikë mes aktivistëve e anëtarëve, ku përmes shpifjeve e insinuatave, të pavërtetave e gjysëm të vërtetave, është synuar degradimi publik e eliminimi politik i njerëzve të caktuar. 

Kjo e rrezikon Lëvizjen sepse instalon një mendësi politike në të cilën mbytet demokracia e diskutimi i sinqertë parimor e i hapur i qëndrimeve tona politike e vendimeve tona organizative”.

Aida Dërguti kërkon falje që e quajti MUT Albinin, por thotë se në LVV po synohet të instalohet frika dhe mosbesimi

Aida Derguti

Pra historia e sherrit nuk konsistonte në një sharje, por tek ndarjet e thella në dy grupe rivale brenda Vetëvendosjes, dhe tek beteja se cila rrymë do ta merrte drejtimin e saj.

“Nuk ju bën përshtypje një gjë? Pse shpërtheu kjo rrëmujë ndërkohë që Albini është në burg”?-tha për lapsi.al, njeriu i vetëvendosjes në Tiranë.

Brenda kësaj pyetje qëndron pandehma se Albin Kurtit po i bëhet një puç. Se aparatçikë që kanë në duar zyrat e partisë, por jo anëtarët dhe simpatizantët e saj, duan të organizojnë një prapaskenë për të rrëmbyer Vetëvendosjen pa zgjedhje. “Ç’kuptim ka – thonë kundërshtarët e tyre -që në një forcë demokratike t’i thuash liderit ti nuk ke të drejtë të kandidosh për kryetar? Aq më absurd duket kërcënimi, po kandidove ti, ne japim dorëheqjen” këmbëngulin mbështetësit e Albinit.

Në fakt nga argumentat që janë hedhur në treg, përpos ekseseve të militantëve që duan të ruajnë të paprekshëm kultin e Albin Kurtit, tezat e mbështetësve të tij duken më racionale dhe më të drejta.

Jo vetëm prej tyre, por edhe për faktin se me Albinin, me burgjet, betejat, frymën dhe idealizmin e tij është e mbrujtur krejt Vetëvendosja si lëvizje, fitorja do të anojë nga ana e mbështetësve të tij.

Por kjo betejë e brendëshme, ndoshta është sfida më e madhe dhe më reale që vetëvendosja po kalon që prej themelimit të saj. Sepse ajo do të tregojë se sa tolerante është kjo parti me vetveten dhe sa i zbaton rregullat demokratike brenda saj.

Nga burgu ku mbahet i mbyllur, Albin Kurti nuk ka dhënë asnjë sinjal për këtë. Ai ende po hesht. Dhe mënyra se si do të prononcohet do të jetë vendimtare.

Jo për fatin e tij që nuk është në diskutim, por për rezonancën që zgjidhja e kësaj krize do të pasqyroje tek publiku shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *