Kriza e Venezuelës, Ekuadori e Brazili i “kthejnë shpinën” miqve përtej kufirit

Ekuadori ka vendosur rregulla të reja më të ashpra për të ndalur emigrantët venezuelas që duan të hyjnë në vend pa pasaportë dhe vendimi ka shkaktuar bllokimin e mijëra njerëzve në Kolumbinë fqinje.

Vendimi i Ekuadorit për të mbyllur kufirin për ata pa pasaporta hyri në fuqi të shtunën.

Mijëra venezuelas që ikin nga kriza ekonomike dhe politike e vendit të tyre kanë kaluar në Ekuador nga Kolumbia duke përdorur vetëm karta identiteti. Shumica e tyre po shkojnë në jug për t’u bashkuar me anëtarët e familjes në Peru dhe Kili.

Kolumbia ka protestuar kundër masës së Ekuadorit, duke thënë se po cenohen të drejtat e njeriut duke i bllokuar njerëzit në anën e saj të kufirit. Venezuela ka vuajtur për vite me radhë nga inflacioni i lartë dhe mungesa kronike e ushqimit dhe ilaçeve.

Çfarë po ndodh me migrantët?

Më shumë se një milion emigrantë venezuelas kanë hyrë në Kolumbi gjatë 15 muajve të fundit, sipas vlerësimeve zyrtare, dhe më shumë se 4,000 arrijnë në kufirin me Ekuadorin çdo ditë.

Shumë emigrantë, të cilët kanë qenë duke ecur për javë mbajnë vetëm karta identiteti. Të hënën, rreth 300 venezuelas u rreshtuan në kalimin kufitar të Rumçaçës jashtë qytetit të Kolumbisë Ipiales dhe shumë thanë se nuk kishin pasaporta për hyrë në Ekuador.

Gabriel Malavolta, një mekanik 50-vjeçar, u largua nga Venezuela tri ditë më parë duke synuar të arrinte në Lima, Peru, përmes Ekuadorit. Ai ka një pasaportë, por e fejuara e tij, Yenny, kishte vetëm një kartë identiteti.

“Nuk e di se çfarë do të bëjmë, por nuk mund të kthehemi”, i tha ai agjensisë së lajmeve Reuters në një tendë të Kryqit të Kuq. “Ju nuk keni idenë se si është në Venezuelë. Familjet të tëra hanë nga plehrat”.
Një tjetër emigrant, Regulo Guaita, tha: “Kjo ishte me të vërtetë një surprizë, Jemi shumë të trishtuar sepse ka shumë, shumë venezuelasit që largohen dhe me këtë masë nuk do t’i lënë të largohen. Çfarë do të bëjnë tani.”

Christian Kruger Sarmiento, drejtor i agjencisë “Migracioni i Kolumbisë”, i tha BBC se masa do të krijonte më shumë probleme. “Kërkimi i një pasaporte nuk do të ndalojë migrimin, sepse kjo popullsi nuk po largohet nga vendi për kënaqësi, por nga nevoja”, tha ai.

“Gjëja e parë që do të ndodhë … është se do të shohë një rritje në migracionin pa dokumente. Kjo sjell shumë probleme”, shtoi ai më tej.

Situata është e ngjashme thuajse tek të gjithë fqinjët e tjerë të Venezuelës përveç Kolumbisë. Me rrjedhën e emigrantëve venezuelasit që shkaktojnë tensione në të gjithë rajonin, qeveria e Perusë njoftoi masa të emigracionit të ngjashme me Ekuadorin të premten. Kërkesat e pasaportave për venezuelasit do të fillojnë më 25 gusht.

Në shkurt, presidenti kolumbian Juan Manuel Santos njoftoi një shtrëngim të kontrolleve kufitare, duke bërë që mijëra venezuelas të nxitojnë të kalojnë pikat e kalimit kufitar.

Brazili, tjetër fqinj i afërt i Venezuelës, gjithashtu ka shprehur shqetësime dhe e ka mbyllur përkohësisht kufirin më parë këtë muaj. Ndërkohë dhuna ka shpërthyer në shtetin kufitar të Roraima ku mijëra venezuelas jetojnë në strehim të pasigurt.

Edhe në qytetin kufitar të Pacaraima të shtunën, disa grupe emigrantësh u sulmuan nga banorët e zemëruar brazilianë. Ata shkatërruan kampin e emigrantëve dhe i kthyen venezuelasit prapa kufirit.

Sulmet pasuan një protestë në qytet pasi një pronar lokali thuhet se ishte plaçkitur dhe rrahur nga venezuelasit. Në anën venezuelase të kufirit, ndërkohë, pati njoftime se makinat braziliane ishin sulmuar. /Shqip

Leave a Reply