Kriza në Maqedoni, përfundojnë pa marrëveshje negociatat në Bruksel

Tryeza e Brukselit dështoi pas 13 orë  “bisedimesh të çiltra e të detajuara”, pa arritur kompromisin e kërkuar për një marrëveshje përfundimtare për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.

Në deklaratën për shtyp të  shpërndarë nga zyra e Komisionerit Hahn gjatë mesnatës, theksohet se “Bashkimi Europian u bën thirrje të gjitha palëve – në interes të vendit të tyre dhe të qytetarëve – për të gjetur një kompromis të qëndrueshëm politik, pa asnjë vonesë dhe të ofrojnë propozime konkrete për këtë qëllim, duke ndërtuar mbi marrëveshjen tashmë të arritur në Shkup, më 2 qershor. Angazhimet për reformë të përfshira aty, për të cilën të gjithë drejtuesit partiak u angazhuan,  duhet të zbatohen me urgjencë”.

“Kjo është thelbësore për vendin për të bërë ndonjë përparim në rrugën euro-atlantike”,  nënvizon qëndrimi i BE-së.

Për këtë takim, në Bruksel u ftua kryeministri Gruevski, shefi i opozitës Zaev, si dhe krerët e dy partive shqiptare, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.

Komisioneri Hahn kryesonte palën europiane, fillimisht vetëm me raportuesin e Parlamentit Europian, Ivo Vajgl dhe më pas, tryezës iu bashkuan kreu i Delegacionit të BE-së dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shkup, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i shërbimit diplomatik europian.
“Komisioni Europian do të shqyrtojë tashmë se si të kontribuojë më mirë ndaj procesit politik në vend dhe mbetet i gatshëm për të lehtësuar bisedimet”, thuhet në fund të deklaratës së Hahn pas takimit.

Leave a Reply