Kultivimi i kanabisit, aksion në Vlorë dhe Shkodër; zbulohen dhe asgjesohen parcelat

Policia e Vlorës ka zbuluar dhe asgjësuar 5.780 rrënjë kanabis sativa, ka arrestuar një grua 54-vjeçare, ndërsa ka shpallur në kërkim bashkëshortin e saj dhe dy djemtë e tyre.

Policia rajonale bëri të ditur zyrtarisht se, bima narkotike, me lartësi deri në 65 cm, u zbulua në dy sera në fshatin Oshtimë, në afërsi të pyllit, e vendosur në kubikë dhe gati për t’u mbjellë në tokë.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore ka rezultuar se, serat ku u gjet bima narkotike janë në pronësi të shtetasit Bujar Kamberaj. Gjithashtu, sipas policisë, në këtë veprimtari është përfshirë edhe bashkëshortja e tij, Shqiponja Gj. Kamberaj, banuese në fshatin Oshtimë dhe e arrestuar në flagrancë.

Policia tha se ka shpallur në kërkim bashkëshortin e 54-vjeçares dhe dy djemtë e tyre, Helis dhe Enea Kamberaj, përkatësisht 27 dhe 31 vjeç.

Ndërkohë, edhe policia e Shkodrës ka asgjesuar po mëngjesin e sotëm 888 rrënjë kanabis, që ishin kultivuar në dy parcela në një fshatin e thellë malor të Shllakut.

Sipas policisë, aksioni është bërë pas një informacioni të marrë në rrugë operative. Pas identifikimit të parcelave, këqyrjes së vendit të ngjarjes, fotografimit dhe marrjes së mostrave është bërë asgjesimi me anë të djegies i bimëve narkotike.

Burime nga policia sqarojnë se kanabisi ishte kultivuar në një terren të pyllëzuar malor pa pronar. Ndërkohë, policia po heton për identifikim e personave përgjegjës.

Leave a Reply