Kumanova, në diskutimet e Kryesisë së Kuvendit në Kosovë

Shefat e grupeve parlamentare komentuan përfshirjen e kosovarëve në ngjarjet e Kumanovës. E pyetur nga gazetarët, në lidhje me vrasjen e dyshuar të një kosovari, të identifikuar jo zyrtarisht si Xhaferr Zymberi, i cili ka qenë pjesë e AAK-së, shefja e grupit parlamentar të kësaj partie, Donika Kadaj Bujupi komentoi se mungojnë informatat zyrtare për përfshirjen e tij në Maqedoni, por kërkoi hetim ndërkombëtar mbi këtë ngjarje.

“Na vjen shumë keq për lajmin e hidhur për një ish-kolegun tonë, për të cilin thuhet që është i vdekur, edhe pse nuk kemi asnjë informatë zyrtare. Ai ka qenë një ndër njerëzit, i cili në luftën e fundit, bashkë me familjen e tij ka dhënë shumë për çlirimin e Kosovës. Për përfshirjen e tij në Maqedoni nuk kemi asnjë informatë, por bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërhyjë dhe të bëjë një hetim të pavarur”, tha Donika Kadaj Bujupi, shefe e grupit parlamentar të AAK-së.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli deklaroi se problemet e Maqedonisë nuk janë probleme të Kosovës. Ai, këtë koment e bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke iu referuar përfshirjes së shtetasve të Kosovës në incidentin e armatosur në Kumanovë.

“Në rend të parë shprehim keqardhjen për të gjitha ato familje, që kanë pësuar viktima në atë incident të armatosur. Ndajmë bashkë me ta dhembjen e tyre. Kosova respekton fqinjësinë e mirë me të gjithë. Ballkani ka më shumë nevoje për paqe dhe mirëkuptim, por problemet në Maqedoni nuk janë probleme të Kosovës. Ne resprektojmë edhe njëherë vendimet e tyre dhe për problemet atje duhet të ketë më shumë mirëkutim dhe bisedime midis faktorit politik në Maqedoni”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci e quajti masakër atë që po ndodh në Maqedoni, por edhe pasojë e padrejtësive të shkaktuara nga qeveria maqedonase.

“Është fatkeqësi, deri kur shqiptarët do të përdoren ‘mish për top’ për interesat e individëve. Kjo na kthen në fillimet e luftës. Për çdo veprim e tentativë për një jetë më të mirë, për liri të shqiptarëve në Kosovë, fajësohej shteti mëmë, Shqipëria, se po nxiste apo po ndihmonte destabilizimin e vendit. Ato ishin si pasojë e padrejtësive të pushtetit të atëhershëm, dhe kjo e sotmja është pasojë e padrejtësive dhe dhunës, që ka ushtruar pushteti maqedonas kundër shqiptarëve”, tha Adem Grabovci.

Duke komentuar përfshirjen e shtetasve të Kosovës, Grabovci tha se bëhet fjalë për akuza të shtetit maqedonas, i cili po përpiqet t’i mbulojë krimet e veta. Ndërkohë, mohoi çdo ndërlidhje të kësaj ngjarje me shtyrjen e krijimit të Gjykatës Speciale.

“Nuk kanë lidhje fare. Gjykata Speciale është ajo që është dhe ne e kemi dhënë qendrimin tonë”, tha Grabovci.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *