“Kumanova”, PDSH akuzon qeverinë për lënie në harresë të të dëmtuarve

Partia Demokratike Shqiptare në opozitë akuzoi qeverinë e Maqedonisë, se ka shkatërruar mbi 100 shtëpi të shqiptarëve në Kumanovë dhe ka lënë pa strehë shumë familje të “Lagjes së Trimave”.
Deputeti i PDSH-së, Orhan Ibrahimi, për këtë situatë fajësoi edhe partnerin shqiptar të koalicionit qeveritar, që – sipas tij – asnjëherë nuk është angazhuar për të mbrojtur popullin shqiptar në Maqedoni. Ibrahimi tha se, gjatë qeverisjes së BDI-së janë vrarë dhe burgosur shumë shqiptarë.

“Kryeministër, a e dini ju dhe Ali Ahmeti, se qeveria juaj ka shkatërruar dhe rrënuar mbi 100 shtëpi në Kumanovë, të lëna gërmadhë? A e dini ju, se janë mbi 100 familje shqiptare; me pleq, gra, fëmijë, invalidë, me njerëz të sëmurë; që enden rrugëve gjithandej?”, pyeti Orhan Ibrahimi.

Deputeti i PDSH-së akuzoi qeverinë se, shqiptarët e “Lagjes së Trimave” nuk i trajton njësoj si të zhvendosurit maqedonas nga konflikti i vitit 2001, për të cilët shteti ka siguruar strehim kolektiv.

Duke iu përgjigjur akuzave të Ibrahimit, kryeministri Nikolla Gruevski tha se, qeveria tashmë ka ndarë ndihmat e para për banorët e “Lagjes së Trimave” dhe premtoi se, shteti do t’i kompensojë të gjitha dëmet e shkaktuara në Kumanovë.

“Vlerësimi i dëmeve është bërë dhe, në seancën e ardhshme të qeverisë, duhet të miratohet raporti i Komisionit që ka kryer vlerësimin, për t’i hapur rrugën kompensimit të plotë të dëmit”, tha kryeministri Gruevski.

Ndërkohë, deputeti i PDSH-së ka komentuar edhe pjesëmarrjen e shqiptarëve në mitingun e opozitës maqedonase, që – sipas tij, – është një fatkeqësi kombëtare dhe rezultat i veprimeve të dëmshme politike të BDI-së.

 

Leave a Reply