Kurti i kthen përgjigje Thaçit

“Po përdor standarde të dyfishta”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherazi kryetar i LVV-së, Albin Kurti i ka kthyer përgjigje me shkrim Presidentit Hashim Thaçi.

Në letër Kurti shkruan se nuk është duke hezituar që t’i përgjigjet për dërgimin e emrit të të mandatuarit.

Kurti sërish ka kërkuar nga Presidenti Thaçi sqarim për siç shkruhet në letër “përdorimin e standardit të dyfishtë që Thaçi dhe partitë politike po tentojnë ta imponojnë në rrugë jokushtetuese”.

“Do të jem në pritje të sqarimit tuaj, me shpresën se do të përdorni standardin e njëjtë që po prisni nga unë. Pas përgjigjes suaj mbase mund ta kem më të qartë arsyen pas këtij insistimi për t’u marrë me çështje dytësore e tretësore, në një kohë kur të gjithë duhet të bashkohemi në luftën kundër armikut të përbashkët COVID-19”.

Pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti nga Kuvendi i Kosovës, Presidenti ka takuar liderët e partive politike parlamentare me të cilët ka diskutuar për dy mundësi, zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe krijimin e një qeverie të re.

Përveç LVV-së, të gjitha partitë tjera politike janë përcaktuar për krijimin e një qeverie të re ndërsa në bazë të Kushtetutës i takon LVV-së të parës që të dërgojë emrin e të mandatuarit.

Në tri kërkesa që Presidenti i ka bërë kreut të partisë për emrin e të mandatuarit nuk ka marrë përgjigje konkrete nga Kurti, por në secilën letër Kurti insiston për zgjedhje të jashtëzakonshme duke u bazuar në nenin 82 të Kushtetutës.

Ndërsa LDK-ja është shprehur se si parti e dytë pas shterimit të mundësive të LVV-së, është e gatshme të krijojë qeverinë bashkë me AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe minoritetet.

Leave a Reply