Kuvendi i Kosovës, me një sesion të ngarkuar në vjeshtë

Kuvendi i Kosovës do të nisë sesionin e ri të vjeshtës më 14 shtator, ndërsa që në seancën e parë priten debate të nxehta parlamentare.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, duke iu referuar rregullores së punës së Kuvendit, tha përmes telefonit për Top Channel se sesioni i vjeshtës nis nga e hëna e dytë e muajit shtator.

Pas një pushimi prej më shumë se një muaji, deputetët kosovarë do të kthehen në sesionin e dytë, ku që në seancën e parë pritet të ballafaqohen me Qeverinë për 4 marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë në dialogun e Brukselit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një komunikate për media të premten, ka thënë se lidhur me marrëveshjet e fundit të nënshkruara në Bruksel, Kuvendi po pret që të kenë informacionet e plota zyrtare në rrugë institucionale mbi procesin dhe përmbajtjet e marrëveshjeve.

Sipas Veselit, që në fillim të punës së Kuvendit në sesionin e vjeshtës, deputetët do të informohen me të gjitha marrëveshjet.

Transparencën e marrëveshjeve e ka premtuar edhe kryeministri, Isa Mustafa, i cili menjëherë pas arritjes së marrëveshjeve ka deklaruar se të gjitha do t’ia paraqesë Kuvendit të Kosovës.

Përveç marrëveshjeve me Serbinë, Kuvendi i Kosovës pritet të zhvillojë edhe debate të tjera për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si dhe ndryshimet ligjore që duhet të ndodhin për zbatimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Leave a Reply