Lamtumirë Rumani, frika e politikanëve nga drejtësia

Disa politikanë rumunë, që janë të akuzuar për korrupsionin e kërkojnë shpëtimin jashtë, në vende ku ekstradimi është shumë i vështirë. Një model që po përhapet.

Rasti më i njohur në Rumani është ai i Sebastian Ghitas, 40 vjeç, i njohur si “Enfant terrible”- gjeni i industrisë informatike në Rumani. Në dhjetorin e vitit 2016 ai u largua nga Bukureshti, pak orë përpara se të dilte urdhërarresti për të. Ditën e arratisë ai kishte marrë pjesë në një festë krishtlindjesh të Shërbimit të Brendshëm Informativ Rumun, SRI, bashkë me politikanë të nivelit të lartë e njerëz të drejtësisë e policisë.

Arrest shtëpiak në vendin fqinj

Kundër Ghitas zhvillohen hetime për korrupsion, larje parash, shantazh. Pas largimit, autoritetet rumune e kërkuan atë me urdhërarresti ndërkombëtar. Në prill të vitit të kaluar Sebastian Ghitta u arrestua në Beograd. Me një emër të tjetër dhe pasaportë sllovene dukej se ai ndjehej i sigurtë në kryeqytetin serb. Pas gjashtë javësh paraburgim, autoritetet serbe e liruan atë kundrejt një garancie prej 200.000 eurosh.

Serbia dhe Rumania nuk kanë marrëveshje ekstradimi. Para ekstradimit të mundshëm, drejtësia serbe do të vendosë njëherë për hyrjen ilegale në Serbi, një procedurë që duket se do të marrë shumë kohë.

Pasuri dhe politikë

Pasuria e ish-deputetit llogaritet në 100 milionë euro. Pjesa më e madhe e fituar nga pajisja e institucioneve shtetërore me teknologji kompjuterike. Karriera e 23 vjeçari filloi në provincë, në qytetin jugor rumun, Ploiesti, po me probleme me drejtësinë për pazare të dyshimta. Më pas ai vazhdoi e u ngjit në karriernë e oligarkut kombëtar. Ngjitja erdhi përmes afrimit me partinë socialdemokrate, PSD. Miqësia me kreun e PSD-së dhe kryeministrin e mëvonshëm, Victor Ponta i siguroi atij kontrata të majme të teknologjisë kompjuterike. Prokuroria rumune shpreh dyshime se Ghitta në pranverën e vitit 2012 ka financuar daljen publike të ish-kryeministrit britanik, Tony Blair në një miting zgjedhor të PSD-së në Bukuresht.
Si shpërblim ai zuri një vend të mirë në listën partiake për të siguruar karrierën politike edhe në parlamentin rumun. Sfondi: Si deputet ai gëzonte imunitetin parlamentar. Një imunitet, për të cilin Ghitta ka pasur shumë nevojë, po të kujtosh disa procese të hapura kundër tij. Sipas drejtësisë rumune proceset kundër tij për shkak të hyrjes edhe në parlament duhet të rihapeshin nga një instancë më e lartë. Por megjithë problemet me drejtësinë, Ghitta zgjidhet në vitin 2012 sekretar i komisionit parlamentar të kontrollit për shërbimet informative.

Sërish Beogradi

Në dhjetor 2016 Ghita nuk arrin dot të zgjidhet deputet. Autoriteti antikorrupsion DANN kishte zbuluar parregullsi. Një firmë e kontrolluar nga Ghitta kishte siguruar një porosi milionëshe për sigurimin e kufijve serbë. Kreu i qeverisë së Beogradit ishte presidenti i sotëm, Aleksandar Vuçiç. Po ai president që para pak javësh mikun e tij dhe ish-kryeministrin rumun, Ponta e bëri konsulent personal duke i dhuruar edhe shtetësinë serbe.

Po ashtu si Ghita edhe Ponta është i përfshirë në disa afera korruptive. Ende Ponta qëndron në Rumani, një vend nga ku nuk janë larguar vetëm politikanë të nivelit të lartë nga frika e drejtësisë. Edhe ish-ministrja Elena Udrea është arratisur në Kosta Rika. Një detaj interesant: Bashkë me të edhe një ish-prokurore rumune ka gjetur vend në Kosta-Rika. Radu Mazare, ish-kryebashkiaku i qytetit port në Detin e Zi, Konstanta, i dënuar për korrupsion dhe larje parash është tërhequr si „investitor” në Madagaskar. Të gjithë këta persona që janë larguar pa frymë nga Rumania kanë një të përbashkët: Ata kanë pasur akses në fondet publike.

Por të kthehemi tek rasti i Ghitas. Përmes televizionit të tij ai bombardon me „zbulime” dhe sulmon rregullisht institucionet që hetojnë kundër tij nga ekzili beogradas. Vëzhguesit nuk e përjashtojnë një zhvillim të ri: Ghitta mund të jetë një eksperiment për Pontan. Nëse drejtësia beogradase mund të mbrojë Ghittan nga drejtësia rumune, mund të ishte e lehtë edhe për Pontan të presë një vendim të mundshëm të drejtësisë nga ana tjetër e Danubit. /DW/

Leave a Reply