Ligji për Prokurorinë Publike, opozita me akuza për falsifikim

Pak para mesnate, Kuvendi me shumicë votash miratoi nevojën e propozim-Ligjit për Prokurorinë Publike.

Seanca që ishte paraparë të mbahej në orën 17, u shty për në orën 18. Fillimi i punës së Kuvendit u vonua përsëri. Më vonë u kuptua se Qeveria në Kuvend ka dorëzuar ligj tjetër nga ai që ka kaluar në Qeveri. Organi ekzekutiv e tërhoqi propozimin, për të sjell më pas tekstin e harmonizuar.

Opozita akuzoi pushtetin për falsifikim. VMRO-DPMNE-ja konsideron se ligji është dërguar në Kuvend jashtë procedurave të parapara me Rregulloren e Kuvendit.

“Sipas informacioneve tona, ky vendim i propozuar nuk ka qenë pjesë e rendit të ditës në Qeveri. Nuk mund të tërhiqet ligji i propozuar në Kuvend, pa sjell Qeveria vendim. Nuk mundet Oliver Spasovski personalisht, pa seancë, pa procesverbal të sjell një copëz letre e cila nuk ka legjitimitet dhe paraqet keqpërdorim të detyrës së tij zyrtare”- tha Antonio Milloshoski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska theksoi se bëhet fjalë për gabim teknik.

“Kur e shqyrtuam tekstin, u pa se ka gabime teknike mbi nenin që parashikon harxhimet për zbatimin e ligjit. Këtë e bëmë në orën 16 dhe pas kësaj nuk ka pasur koordinim dhe negociata mes meje, Zoran Zaevit dhe kryetarit të Kuvendit. Teksti është ai i cili është miratuar në Qeveri dhe përmirësimet janë në dispozitat që i parafrazova”-pohoi Renata Deskoska, Ministre e Drejtësisë.

Deskoska shtoi se mbi nenin kontestues që parashikon largimin e bombave si indikacione për dëshmi në procedurë, do të ketë debat konstruktiv gjatë fazës së amendamenteve. Pas votimit të nevojës, propozimi tani kalon filtrat parlamentar. I njëjti sot do të debatohet në Komisionin për Çështje Evropiane. Procedura e shkurtër parashikon dy ditë debat në komisionin amë. Më pas ligji dërgohet në seancë ku duhet miratohet me 2/3 e votave, shumicë të cilën pushteti pretendon se e ka siguruar. Ligji për Prokurorinë Publike është cilësuar si një ndër ligjet vendimtare për datën e negociatave me BE-në.

Leave a Reply