Ligji që bëri bashkë PS e LSI, flet Hodaj: Vettingu në Polici brenda dy vitesh

Një ditë pas votimit të vetingut të policisë, ku LSI bashkoi votat me PS-në, pasi u përfshinë 19 amendamentet e saj, zv. ministri i Brendshëm, Juljan Hodaj tha se propozimet e LSI nuk prekin thelbin, por janë të natyrës teknike.

“Grupi parlamentar i LSI paraqiti rreth 19 ndryshime, ku shumica më e madhe janë të natyrës së teknikës legjislative, pra nuk janë ndryshime që prekin thelbin. Nëse do të veçoja dy ndryshime ose dy propozime të cilat u morën parasysh dhe u dakordësuan, njëra ka lidhje me përbërjen e Bordit Përzgjedhës, që është ai Bord që përzgjedh 15 anëtarët e Komisionit të Jashtëm, ku u pranua propozimi i tyre për të përfshirë në bord Avokatin e Popullit dhe SHISH. Ndërsa ndryshimi tjetër që është thjesht si deklaratë, është përmendja në ligj e Nënkomisionit të posaçëm parlamentar pranë Komisionit të Sigurisë që do ndjekë zbatimin e ligjit. Kuptohet parlamenti ka funksionin mbikëqyrës edhe mbi bazën ligjore ekzistuese, përmendja besoj që e bën edhe më të rëndësishëm, edhe më të lidhur këtë proces dhe garanton një lloj mbikëqyrjeje parlamentare më të theksuar”, thotë Hodaj.

Zv. ministri i Brendshëm parashikon që i gjithë procesi të mbyllet brenda 24 muajve.

“Është parashikuar që procesi duhet të përfundojë, të paktën vlerësimi kalimtar, sepse vlerësimi periodik është pjesa tjetër, vlerësimi kalimtar është parashikuar të përfundojë brenda 24 muajsh nga data e hyrjes në fuqi të ligjit, për të gjithë punonjësit e policisë, jo vetëm për drejtuesit. Nëse e keni parasysh, procesi është i strukturuar në tre faza, në varësi të gradave. Gradat e larta janë 300 punonjës, gradat e mesme janë rreth 3 mijë punonjës dhe punonjës të nivelit zbatues janë rreth 9 mijë. Ne mendojmë që i gjithë procesi do të mbyllet në harkun kohor të 24 muajve”, tha ai.

Brenda 20 ditësh presidenti duhet të japë dekretin, e më pas do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Nga hyrja në fuqi çdo punonjës i policisë ka një afat kohor prej 30 ditësh për të dorëzuar deklaratat individuale. Janë 3 formularë, për figurën, për pasurinë dhe për profesionalizmin dhe brenda këtij 30 ditësh është parashikuar të ngrihen edhe organet përkatëse që është Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit dhe Sekretariati Teknik përkatës.

“Ligji parashikon që në rast se dikush do të dorëhiqet e ka mundësinë ta bëjë brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit. Besoj se atëherë do ta marrim vesh, nëse ka njerëz që do të largohen ose jo”, tha Hodaj./Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *