Lindje e Mesme, kulmon dhuna mes palestinezëve dhe izraelitëve

Akte të reja dhune mes izraelitëve dhe palestinezëve kanë përfshirë Bregun Perëndimor dhe Gazën, me tre palestinezë të vrarë.

Sipas burimeve nga ky territor, dy prej tyre u vranë në përballje me trupat izraelite në kufirin në Gaza. Ndërsa në Bregun Perëndimor, një palestinez që u shtir si gazetar plagosi me thikë një ushtar para se të qëllohej për vdekje.

Dhuna mes dy palëve ka arritur kulmin, pasi sulmet me thika por edhe armë zjarri nga palestinezët janë bërë thuajse të përditshme që nga fillimi i muajit.

Shtatë izraelitë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në agresionet me armë, ndërsa të paktën 30 palestinezë, përfshirë agresorët, janë vrarë në reagimin e forcave hebraike të sigurisë.

Spiralja e dhunës nisi muajin e kaluar, pas zërave se autoritetet hebraike do të lehtësonin rregullat mbi të drejtat për të vizituar një objekt kulti për palestinezët. Por qeveria izraelite i ka mohuar gjithmonë këto zëra.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti një takim të jashtëzakonshëm ditën e premte, për shkak të përshkallëzimit të dhunës.

Protestat e sotme janë përhapur në të gjithë Bregun Perëndimor, me përleshje të verifikuara në Betlehem, Ramallah, Tulkarm dhe Nablus.

Foto të publikuara në mediat ndërkombëtare tregonin palestinezë të maskuar që hidhnin shishe me benzinë ndaj trupave izraelite, ndërsa këto të fundit qëllonin gaz lotësjellës për t’i shpërndarë.

Në Gaza, protestuesit, disa prej të cilëve qëllonin me gurë, avancuan drejt barrierës me tela me gjemba, ku ushtarët hapën zjarr.

Leave a Reply