Linja e interkonjeksionit Shqipëri-Itali, kompania gjermane do të studiojë fizibilitetin

Gjatë vizitës së tij në Mynih të Gjermanisë, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, firmosi marrëveshjen e bashkëpunimit për krijimin e konsorciumit të ndërtimit të linjës së interkonjeksionit të energjisë elektrike mes Shqipërisë dhe Italisë, me drejtuesit e kompanisë gjermane “Max Streicher”.

Kompania bavareze është një nga liderët gjermanë në ndërtimin e infrastrukturës energjetike dhe, në bashkëpunim me Qeverinë shqiptare, do të kryejë studimin e fizibilitetit e do të bëjë të mundur financimin e linjës.

I pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes ishte edhe Franz Jozef Pschiere, sekretar shteti për Ekonominë dhe Energjinë për landin e Bavarisë. Ai shprehu interesin e veçantë të Qeverisë së vendit të tij për mbështetjen e këtij projekti.

Në takimin mes tij dhe Gjiknurit u diskutua për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë dhe energjisë midis dy vendeve dhe u theksua potenciali që ofron Shqipëria në këtë sektor.

Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit shihet me shumë interes nga Bashkimi Evropian, pasi i shërben sigurisë energjetike dhe integron rajonin e Evropës Juglindore në tregun evropian të energjisë. Ndërtimi i saj pritet të kapë një vlerë mbi 200 milionë euro. / Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *