Lituania akuzon Rusinë për vendosjen e raketave balistike në Kaliningrad

Lituania akuzoi sot Rusinë për vendosjen në enklavën e Kaliningradit fqinj të raketave të afta për të transportuar koka bërthamore, ndërkohë që marrëdhëniet mes Moskës dhe Perëndimit janë në nivelin më të ulët që prej fundit të Luftës së Ftohtë.

Rusia kishte dërguar tashmë raketa Iskander në rajonin e Kaliningradit që ndodhet mes Lituanisë dhe Polonisë, të dyja anëtare të NATO-s, por vetëm në periudhën e manovrave ushtarake.

Sipas presidentes lituaneze, Dalia Grybauskaite, këtë herë ata i kanë vendosur në kuadër të një pranie të përhershme.

Grybauskaite, e cila foli për gazetarët, theksoi se vendosja e tyre përbënte një rrezik për gjysmën e kryeqyteteve evropiane, përcjell REL.

Moska kishte njoftuar vendosjen e raketave Iskander për manovra në Kaliningrad në 2016, duke shkaktuar konfuzion tek fqinjët e NATO-s.

Në një raport të fundit, shërbimet sekrete lituaneze thekosjnë se vendosja e tyre e përhershme ishte e pashmangshme dhe se Moska do t’i prezantonte si një përgjigje për masat e marra nga NATO.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *