Autoritetet hungareze konfirmuan se po e shqyrtojnë kërkesën e Gruevskit për azil

Autoritetet hungareze janë duke e shqyrtuar kërkesën për azil, të parashtruar nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, informojnë nga pres shërbimi i Kabinetit të kryeministrit Viktor Orban.

“Duke marrë parasysh se dhjetë vite ishte kryeministër, për shkaqe sigurie autoritetet hungareze lejuan që Nikolla Gruevski kërkesën për azil ta parashtrojë dhe të dëgjohet në selinë e Zyrës për migrim dhe azil në Budapest. zyra do të zbatojë procedurë për vlerësimin e kërkesës për azil në pajtim me të drejtën hungareze dhe ndërkombëtare”, thuhet në kumtesë.

Nga Kabineti i Orbanit theksojnë se Maqedonia është partner strategjik dhe aleat i rëndësishëm i Hungarisë dhe se “bashkëpunimi i mirë midis dy vendeve është kyç për zhvillimin e rajonit ballkanik dhe të sigurisë së Evropës”.

Konform ligjeve hungareze, autoritetet e Hungarisë thonë se nuk mund të publikojnë informacione dhe detaje shtesë  lidhur me procedurën për azil, deri te zbatimi i plotë i saj.

Ish-kryeministri dhe ish-lider i VMRO-DPMNE-së të martën në profilin e tij në Fejsbuk publikoi se ndodhet në Budapest, ku ka kërkuar azil politik për shkaqe sigurie.

Gruevski është i dënuar me dy vjet burg për rastin “Tanku” të Prokurorisë Speciale Publike, që ka të bëjë me keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë blerjes së një makine luksoze “mercedes# për nevojat e Qeverisë, në vlerë prej rreth 600 mijë euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *