Ivanov i kritikoi deputetët që votuan për ndryshime kushtetuese

Katër ditë pasi që Kuvendi i Maqedonisë siguroi shumicë prej dy të tretave dhe votoi për fillimin e ndryshimeve kushtetuese,presidenti Gjorge Ivanov i kritikon deputetët se, sipas tij, kanë vepruar në kundërshtim me vullnetin e popullit, njofton Portalb.mk.

“Në referendumin e mbajtur më 30 shtator, populli me mosvotim është deklaruar kundër zgjidhjeve të përshpejtuara dhe të dëmshme, pa u arritur paraprakisht konsensus nacional. Në referendum populli e shprehi vullnetin e tij sovran dhe pa mëdyshje e hodhi poshtë Marrëveshjen e Prespës”, tha Ivanov në uratën për Ditën e Luftës Revolucionare.

Duke porositur se kjo gjeneratë nuk guxon të lejojë që “Maqedonia të bëhet e pavlefshme”, Ivanov e ka kritikuar Kuvendin.

 

 

“Kuvendi i Republikës së Maqedonisë atë patjetër është dashur që ta marrë parasysh, por shumica e të zgjedhurve të popullit veproi kundër vullnetit të popullit. Populli gjithmonë i  kujton të guximshmit, ndërkaq historia i përçmon të frikësuarit dhe të korruptuarit. Pa respekt ndaj të kaluarës, pa identitet dhe vetëdije nuk ka të tanishme me prosperitet, por as do të ketë ardhmëri më të mirë”, shkruan Ivanov.

Ivanov për herë të fundit është paraqitur në opinion më 1 tetor, apo një ditë pas referendumit duke thënë se populli e hodhi poshtë Marrëveshjen e Prespës. Ai e bojkotoi referendumin, edhe pse tërë faktori ndërkombëtarë bëri ftesë që të dilet për votim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *