Kundërshtarët e referendumit në Maqedoni, fjalor fyes ndaj shqiptarëve: Po rrënojnë identitetin maqedonas

Referendumi më 30 shtator do të mbahet për pranimin ose jo të Marrëveshjes me Greqinë për ndërrimin e emrit të shtetit në Maqedonia e Veriut, por polemikat që po zhvillohet në shënjestër kanë edhe shqiptarët, të cilët nga kundërshtarët e referendumit shihen si element destruktiv, apo siç thonë, mbështetës të rrënimit të identitetit, gjuhës dhe kulturës maqedonase.

Një nga drejtuesit e frontit kundër referendumit, Janko Baçev, ditë më parë tha se referendumi nuk do të ketë sukses, por se Qeveria, partitë shqiptare dhe ambasadori amerikan, sipas tij kanë nisur të frikësojnë popullin se gjoja do të ketë luftë nëse dështon referendumi. Në këtë rast, Baçev për partitë shqiptare, ka përdorur terme fyese.

“Gjithkush e ka të qartë se referendumi nuk do të ketë sukses dhe tani kryeministri Zoran Zaev kërkon alibi për referendumin dhe frikëson popullin, dhe ja siç e shihni ambasadori amerikan (Jess) Baily, partitë shqiptare (siç i është referuar ai me termin ‘shiptariske partii’) kanë filluar të flasin hapur se do të ketë luftë nëse dështon referendumi. Pra, popullin e frikësojnë pasi Qeveria e ka të qartë se referendumi nuk do të ketë sukses”, ka deklaruar Baçev.

Deklarata e tillë ka nxitur reagime të shumta. Nga prokuroria kanë thënë se janë të njoftuar me rastin dhe në rast se konstatojnë se ka përmbajtje fyese, do të ndërmarrin masa konkrete. Nga Qeveria kanë reaguar duke e dënuar aktin, por edhe duke kërkuar që raste të tillë të mos përsëriten.

“Në historinë demokratike të Maqedonisë nuk ka ndodhur që ndonjë politikan, hapur, përmes televizionit të përdor gjuhë të urrejtjes ndaj një bashkësie të caktuar etnike dhe kjo nuk guxon asnjëherë më të ndodhë. Liderët e partive të tilla, jo vetëm që përhapin ksenofobi, por ata kanë për qëllim të bojkotojnë edhe të ardhmen e Maqedonisë”, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.

Në Maqedoni në vazhdimësi ka përdorim të gjuhë të urrejtjes, e cila më tepër është pasojë e faktit se institucionet nuk reagojnë ndaj përdoruesve të gjuhës së tillë, që promovon tkurrjeje ndëretnike, ndërfetare, nga eksponent margjinal që nuk kanë ndonjë fuqi të madhe, por që mund të ndikojnë në opinionin publik, thotë Sefer Tahiri, njohës i çështjeve politike dhe profesor në Fakultetin e Shkencave të Komunikimit, në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

“Ne kemi Prokurori Publike e cila është inerte, nuk është aktive, nuk bënë punën e saj për të denoncuar këta persona të cilët përdorin gjuhë të urrejtjes dhe për të cilët parashikohen dënime me burg… Sistemi i drejtësisë në Maqedoni ndodhet para një sfide të rëndësishme, institucionet duhet të jenë vendosura në drejtim të parandalimit por edhe të sanksionimit të të gjithë atyre që do të tentojnë të ndikojnë ndaj proceseve politike, duke përdorur terma që janë nënçmues, degradues që përhapin urrejtje ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj faktorit ndërkombëtar”, thotë Tahiri.

Gjuhë e tillë urrejtjes është përdorur edhe në tubime tjera të kundërshtarëve të referendumit, si në manifestimet për shënimin e Ditës së 2 gushtit, kryengritjes së Ilindenit kur tifozët e një klubi të futbolli të njohur si “Komitët” brohoritnin parulla si “dhoma gazi për shqiptarët” dhe “shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur”.

Edhe në këtë rast, Prokuroria ka bërë të ditur se po analizon thirrjet e protestuesve, disa prej të cilëve janë marrë në pyetje, por ende pa ndonjë epilog konkret.

Thirrjet e tilla që konsiderohen si nxitëse dhe raciste vijnë në shprehje gjithmonë në rast të cikleve zgjedhore apo krizave politike, e ndëretnike, e të cilat kanë qenë të shumta që nga pavarësia e Maqedonisë. /REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *