LSDM-VMRO/Përafrohen qëndrimet

Drejtori i Agjencisë Teknike Operative do të zgjidhet me 2/3 e votave në Kuvend. Alsat M nga burime brenda grupeve të punës mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, mëson se me propozim të opozitës, palët kanë arritur konsensus që të ndryshojnë dispozitat ligjore për zgjedhjen e drejtorit të ATO-së.

Në propozim ligj ishte paraparë që drejtori i këtij organi të zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Partitë kanë përafruar qëndrimet edhe në Ligjin për dëshmitarët e mbrojtur.

Burimet shtojnë se nga konsensusi ka rezultuar që në Ligjin për dëshmitarët e mbrojtur, PSP-së t’i jepet e drejta ligjore për t’i mbrojtur dëshmitarët e saj. Megjithatë, opozita ka kërkuar që në fuqi të mbetet roli i Këshillit i përbërë nga disa organe të zbatimit të ligjit si Gjykatat, Prokuroria Publike dhe ministria e Brendshme. Këshill ky i cili vendos mbi propozimet për dëshmitarët dhe garanton mbrojtjen e tyre. Deri më tani ky organ ishte në shënjestër të kritikave për shkak të dyshimeve për mos mbrojtjen e identitetit të dëshmitarëve, gjë që mbajti duarkryq PSP-në në disa raste për të cilat ka dyshime se janë të montuara.

Grupet e punës pritet që shpejtë të dalin me përmbledhje rreth qëndrimeve të përafruara për ligje të caktuara. Derisa data për publikimin e raportit të Komisionit Evropian po afrohet, ligjet reformuese duket se janë larg procedurës parlamentare. Një pjesë e madhe e tyre gjenden vetëm në fazën e nevojës, respektivisht leximit parë.

VMRO-DPMNE-ja vazhdon të kushtëzojë votimin e tyre me lirimin e deputetëve nga paraburgimi dhe arresti shtëpiak, duke hedhur poshtë akuzat se janë të papërgjegjshëm ndaj proceseve reformuese. Nga ana tjetër, shumica parlamentare vazhdon t’i bëj thirrje opozitës që t’i mbështes të njëjta ligje duke kërkuar në të njëjtën kohë që të lë anësh interesat e ngushta partiake.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *