Qeveria e Maqedonisë: Pretendimet e Gruevskit për azil janë të rreme, ai do të ekstradohet

Gruevski do të kthehet në Republikën e Maqedonisë dhe këtu do ta vuajë dënimin. Pretendimet në kërkesën për azil janë krejtësisht të rreme dhe presim që autoritetet hungareze ta revokojnë vendimin për azil dhe Gruevski do të ekstradohet, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski.

Në pres konferencë, ai ka thënë se procedura e ekstradimit ka filluar, dokumenti është dërguar në qeverinë e Hungarisë dhe se është e ndarë nga procedura e azilit, pra dy procedurat nuk janë në korrelacion mes veti.

“Hungaria është shtet anëtar i BE-së dhe NATO-s e cila deri tani në procedurat e ekstradimit që kanë ekzistuar mes Republikës së Maqedonisë dhe Hungarisë në asnjë moment nuk është thënë se ekzistojnë parregullsi në proceset gjyqësore në Republikën e Maqedonisë, siç është në këtë rast me Nikolla Gruevskin. Është e qartë se pretendimet në kërkesën për azil janë të rreme, kërkesa për ekstradim është dërguar. Gruevskin nuk e kërkojmë vetëm ta vuajë dënimin në Maqedoni, vendimi për dy vjet burg, por kërkohet edhe për raste tjera gjyqësore që janë në rrjedhë. Kjo nënkupton se kërkesa për ekstradim është e plotë dhe mundëson kthimin definitiv në Maqedoni”, ka thënë Boshnjakovski.

Në pyetjen se ku janë lëshimet dhe kush është përgjegjës për ikjen e Gruevskit, zëdhënësi qeveritar ka thënë se zhvillohen dy procedura në MPB dhe kur gjitha informacionet do të vërtetohen detajisht do t’i prezantohen opinionit.

Boshnjakovski nuk e ka komentuar deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq lidhur me lëvizjen e Gruevskit, apo se lëshimi është që nuk ka ekzistuar fletëarrest ndërkombëtar dhe ka mundur legalisht ta kalojë kufirin. “Qeveria nuk do të komentojë deklarata nga burrështetas të shteteve tjera”, ka thënë Boshnjakovski.

Në pyetjen nëse paraburgimi për ish shefin e DSK-së Sasho Mijallkov është vetëm vendim i PPS-së dhe nëse është debatuar dje në seancë qeveritare, apo nëse ministri i brendshëm Oliver Spasovski ka pasur njohuri për arratisjen e Mijallkovit, zëdhënësi i Qeverisë asnjëherë nuk diskuton çështje që lidhen me organin gjyqësor.

Ndryshe, Qeveria dje ka dhënë mendim negativ për propozimin e amnistisë që ka arritur përmes Kuvendit nga deputetë të VMRO-DPMNE-së.

“Propozimi është në themele krejtësisht të gabuara. Ajo parashikon amnisti të përgjithshme për gjithë pjesëmarrësit. Ata këtë e kanë kërkuar gjatë kohë, diçka që nuk është premtuar, as që mundet dhe të pranohet nga kjo Qeveri”, ka thënë Boshnjakovski./MIA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *