Spasovski: Policia po e kërkon Gruevskin, gjykata të mendojë përse nuk caktoi paraburgim

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski, për të cilin është shpallur urdhër-arrest nacional për vuajtjen e dënimit me burg prej dy viteve për rastin “Tanku”, dje është kërkuar në shtëpinë e tij, ndërsa gjurmimi pas tij do të vazhdojë edhe në disa lokacione të tjera. Po kryhen edhe masa të tjera, si kontrolle të automjeteve, ndërsa është përforcuar prania policore në dalje të Shkupit dhe në vendkalimet kufitare.

Këtë e deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski në deklaratën për gazetarë, pas konferencës rajonale “Përballja me antisemitizmin dhe adresimi i nevojave të sigurisë së komuniteteve hebraike” duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve për atë se ku është ish-kryeministri, nëse ndodhet në shtet dhe ku e sheh përgjegjësinë për shkak të faktit që ai është në arrati.

Ka vlerësime të sigurisë të cilat i shfrytëzojnë shërbimet, tha Spasovski, dhe shtoi se policia punon në analizimin e të gjitha informatave me të cilat disponon.

“Mos prisni se do të vendosim një link në shesh dhe së bashku me policinë dhe mediumet ta kryejmë tërë aksionin. Të gjitha informatat që i kemi i analizojmë dhe punojmë lidhur me sigurimin e personit, por atë nuk mund ta ndajmë lirshëm në opinion dhe të gjithë së bashku ta ndjekim”, tha ministri i Punëve të Brendshme.

Lidhur me atë nëse do të hyjnë në selinë e VMRO-DPMNE-së, Spasovski tha se nëse policia ka urdhër, do të hyjë në cilën do ndërtesë dhe shtoi se dje nuk kanë pasur për qëllim të hyjnë në parti, as nuk kanë pasur urdhër për atë.

Ai përmendi se dje nuk ka pasur kurrfarë rrethimi të partisë politike, as të ndonjë objekti tjetër dhe shtoi se policia ka vepruar në bazë të urdhërit të dhënë sipas vlerësimeve për lokacione të mundshme. Shtoi se ka pasur kontrolle në afërsi të selisë së partisë.

Si dezinformata i vlerësoi pohimet se Gruevskin me javë e ruajnë para banesës së tij.

“Gruevski deri dje në orën 16:30, derisa Gjykata e dha urdhrin për arrestim ishte i lirë. Ai ka sigurim personal, të cilin e shfrytëzon në thirrje, por ai nuk është sigurim i cili 24 orë e ruan atë para banesës apo kur është në lëvizje. Sigurimin njëzetekatërorësh që ai e përdorë personalisht në thirrje dhe sigurimi i tij për herë të fundit e ka lënë në shtëpinë e tij më 8 nëntor, diku rreth orës 23:00, sipas deklaratave të pjesëtarëve të sigurimit”, tha Spasovski.

Për atë që Gruevski për momentin është i arratisur konsideron se përgjegjësinë duhet ta marrin ata që përcaktojnë masën e paraburgimit.

“Mendoj lidhur me përgjegjësinë e atyre të cilët përcaktojnë masën paraburgimit ndaj personave për të cilët nuk ekziston rreziku për ikje. I lëshojnë të lirë të lëvizin në vend, të lirë të kryejnë të gjitha punët dhe në fund kur sillet aktgjykimi ata nuk janë në paraburgim në mënyrë që ato të mund të sigurohen, edhe pse janë me më shumë vepra penale. Paraburgimi përcaktohet për plaçkitje apo vjedhje të rënda, ndërsa për raste të rënda nuk është përcaktuar. Policia punon veçanërisht sipas urdhërave të cilat i jep gjykata dhe pa urdhër nuk mund të ndjekë askënd dhe vazhdimisht të jetë e pranishme, rreth atij vetëm për shkak të asaj se ndiqet procedurë gjyqësore kundër tij”, tha Spasovski.

Tha se nuk është e ligjshme që policia t’i ndjekë këta persona.

“Në kundërshtim me ligjin është nëse vazhdojmë të ndjekim siç ndiqeshin më parë, atëherë do të kemi problem serioz. Ndjekja duhet të jetë në bazë të ligjit”, tha Spasovski dhe shtoi se në lidhje me mundësinë për të lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar, ajo është punë e gjykatës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *