Maqedoni, deputeti i BDI: Ndaj shqiptarëve ka procese të montuara gjyqësore

Deputeti nga radhët e partisë shqiptare në pushtet BDI, Rafiz Aliti, e pranon se subjekti të cilit i takon nuk ka fuqi që të mbrojë shqiptarët e Maqedonisë nga rastet e montuara gjyqësore.

Aliti, i cili është edhe nënkryetar i Kuvendit në Shkup, ka thënë se shqiptarët e Maqedonisë në shumë raste vazhdojnë të dënohen pa faj, edhe në 12 vitet e kaluara kur partia shqiptare BDI është pjesë e qeverisë.

“Shqiptarëve çdo herë u janë montuar raste, qoftë në kohën e ish-Jugosllavisë, por edhe tani. Raste të montuara gjithsesi se kemi, por nuk kemi vetëm gjatë qeverisjes së BDI-së, por raste të montuara kishte edhe në kohën kur ka qeverisur PDSH-ja me VMRO-në, por edhe gjatë periudhës kur ne kemi qeverisur me LSDM-në”, deklaroi Aliti.

Këto komente Aliti i bëri gjatë debatit rreth projektligjit për amnisti, i propozuar në Kuvend nga aktivistja maqedonase Meri Nikollovska, e cila kërkon uljen e dënimeve për të burgosurit për shkak të kushteve të këqija nëpër burgje.

Deputetët e partisë opozitare PDSH, thanë se nisma nuk është e sinqertë pasi në draft nuk parashikohet lirimi i shqiptarëve të pafajshëm.

Sa i përket rasteve të montuara si ‘Monstra’ apo ‘Sopoti’, deputeti i PDSH-së Orhan Ibrahimi, fajësoi partinë shqiptare në pushtet BDI.

“Këtu pushtet gjyqësor nuk ka, këtu fatin për qytetarët e ndanë policia dhe politika, e politika për 12 vite qeverisje është BDI. Me këtë projektligj për amnisti asnjëherë nuk vjen në shprehje amnistia apo drejtësia për të cilën kanë nevojë shqiptarët”, u shpreh Ibrahimi.

Projektligji për amnisti ka hyrë në procedurë parlamentare pasi ka marrë mbështetje nga rreth 11 mijë qytetarë. Partia më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE vlerëson se qëllimi i kësaj nisme është politike dhe prapa saj qëndron LSDM-ja.

Drafti i propozuar parashikon uljen e dënimeve për 3500 persona, 700 prej të cilëve do të liroheshin nga burgu nëse ligji për amnisti miratohet nga Kuvendi.

Leave a Reply