Maqedoni, përfundon operacioni i policisë në Kumanovë, 22 të vdekur, mes tyre 8 policë

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka përmbyllur aksionin policor në lagjen e “Trimave” në Kumanovë me një bilanc tragjik.

Zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski tha se në përleshjen e armatosur kanë humbur jetën 8 policë dhe 14 pjesëtarë të grupit të armatosur, të cilët ai i ka quajtur “persona me uniformë”. Ai bëri të ditur se 37 policë janë plagosur, ndërsa 30 persona të armatosur i janë dorëzuar policisë.

Kotesvki tha se organizatorë të sulmit kanë qenë 5 persona, tre prej të cilëve i janë dorëzuar policisë. Kundër personave që janë dorëzuar është ngritur aktakuzë penale për terrorizëm dhe kërcënim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë së Maqedonisë. Të dielën pasdite ata kanë dalë para gjykatësit hetues.

Qëllimi i grupit të armatosur, sipas policisë, ka qenë që nga fillimi i majit të nisë me sulme ndaj institucioneve.

Operacioni i policisë maqedonase në lagjen e “Trimave” në Kumanovë, të banuar me shqiptarë, që ndodhet rreth 700 metra nga qendra e qytetit, nisi mëngjesin e ditës së shtunë.

Në këtë lokalitet u stacionuan forca të shumta të policisë, të cilat bllokuan rrugën drejt lagjes ku ka ndodhur përleshja.

Sipas ministres së Brendshme, sulmuesit ishin nga Maqedonia dhe nga një vend fqinj, të cilit nuk ia përmendi emrin. Jankullovska tha se personat e armatosur ishin të pajisur me armë automatike, granata dhe snajper.

Ndërkohë, përfaqësitë e SHBA-ve dhe BE-së në Shkup dënuan dhunën dhe bënë thirrje për të ruajtur qetësinë, e për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Edhe partitë politike shqiptare kanë bërë thirrje për qetësi dhe kanë ftuar qytetarët, që të mos bien pre e provokimeve.

Qeveria e Maqedonisë ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar mbi këtë ngjarje të rëndë, për të cilën ka shpallur edhe dy ditë zie, duke nisur nga dita e diel 10 Maj, e deri të hënën më 11 Maj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *