Kuvend, kalon ligji për gjuhët me 69 vota “për”


Kostadinovski dhe Kadriu janë Gjykatësit e rinj Kushtetues

Darko Kostadinovski dhe Osman Kadriu do të jenë gjykatësit e ri në Gjykatën Kushtetuese. Deputetët votuan me 69 vota pro dhe asnjë votë kundër apo e përmbajtur. Ashtu siç edhe deklaruan paraprakisht në sallë nuk ishin prezentë deputetët e VMRO-DPMNE-së. Kostadinovski dhe Kadriu duhet të vijnë në vendet e gjykatëseve Natasha Gaber Damjnanovska dhe Gëzime Starovës, të cilave mandati u përfundoi në tetor të këtij viti.


Ligji për gjuhët, deputetët arrijnë në Kuvend

Me vonesë prej 30 minutash deputetët kanë filluar të arrijnë në Kuvend  ku për sot është paraparë vazhdimi i 5 seancave kuvendore prej të cilave prioretare është vlerësuar seanca e 27-të. Në rend dite të seancës së 27-të është votimi i Propozim ligjit për përdorimin e gjuhëve, në lexim të dytë dhe Propozimi për zgjedhjen e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese.

Herën e fundit seanca e 27-të u anulua për shkak të mungesës së kuorumit.


Kuvendi do të votojë për ligjin e gjuhëve dhe për gjykatësit kushtetues

Në Kuvendin e Maqedonisë për sot është caktuar vazhdim i pesë seancave kuvendore, ndërsa në të parën prej tyre, në të 27-ën duhet të votohet për Propozim ligjin për përdorimin e gjuhëve, në lexim të dytë dhe Propozimi për zgjedhjen e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese.

Për këto propozime pardje në shtëpinë ligjdhënëse përfundoi shqyrtimi pa debat, por pasi nuk kishte kuorum kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi votimin e ricaktoi për sot. Vendimet për ligjin për gjuhët dhe për gjykatësit kushtetues sillen me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, gjegjësisht nevojiten 61 vota “pro”. Xhaferi pardje mbrëma në një emision televiziv tha se pret që sot të ketë kuorum për votim.

Zgjedhja e Darko Kostadinovskit dhe Osman Kadrirut për gjykatës kushtetues për të cilën duhet të votohet në seancën e sotme është me propozim të presidentit Gjorge Ivanov. Kostadinovski dhe Kadriu duhet të vijnë në vendet e gjykatëseve Natasha Gaber Damjnanovska dhe Gëzime Starovës, të cilave mandati u përfundoi në tetor të këtij viti.

Debati për ligjin e gjuhëve në Kuvend filloi më pesë shtator të vitit të kaluar në Komisionin kuvendor për Çështje Evropiane, ndërsa shumica parlamentare e aprovoi nevojën për miratimin e tij më 15-të nëntor të vitit të kaluar.

Në rend dite të seancës së 27-të janë edhe propozim ligjet për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve për marrëdhënie pune, për realizimin e të drejtës së pensionit, për punëtorët në miniera, për realizimin e barazisë të gjuhëve zyrtare dhe shkrimit të tyre në Republikën e Maqedonisë, për gjueti, të gjitha në lexim të parë. Kuvendi duhet të prononcohet edhe për kërkesat për interpretimin autentik dhe propozim vendimet për statutet.

Sipas paralajmërimit, Kuvendi sot duhet të punojë edhe për pikat e tjera prej seancës së 22-të, 11-të, 13-të dhe 15-të./Alsat-M/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *