Maqedoni, protestë masive në Shkup, Zaev: Nuk dorëzohemi deri në largimin e Gruevskit

Mijëra qytetarë janë mbledhur në Shkup të Maqedonisë në një prej protestave më masive, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit të vendit. Skandali i përgjimeve dhe ngjarja e Kumanovës kanë “derdhur” në rrugë maqedonas e shqiptarë.

Rreth 300 mijë persona janë të pranishëm në protestën kundër kryeministrit Nikolla Gruevski, duke e bërë atë më të madhen që është zhvilluar ndonjëherë në Maqedoni.

Për mbarëvajtjen e protestës janë angazhuar forca të shumta policie.

Ish-kryeministri bullgar Sergej Stanishev u është bashkangjitur protestave masive nga ana e qytetarëve dhe opozitës kundër qeverisë së Nikolla Gruevskit. Së bashku me Knut Flekenshtajn, nënkryetar i grupit socialist në Parlamentin Europian edhe kreut të LSDM-së Zoran Zaev, pritet që edhe Stanishev t’u drejtohet protestuesve.

Në këtë protestë marrin pjesë edhe shumica e diplomatëve perëndimorë në vend.

Edhe lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, i është bashkuar protestës që po bëhet para godinës qeveritare. Duke i përshëndetur protestuesit, ai i është lutur atyre që të mbajnë qetësinë dhe të mos krijojnë probleme. Në fjalën e tij para mijëra protestuesve lideri i opozitës, Zaev, kërkoi një minutë heshtje për policët e vrarë në lagjen e “Trimave” në Kumanovë, ndërsa u shpreh se protesta do të vazhdojë deri në rrëzimin e Gruevskit. Ai kërkoi nga ndërkombëtarët që të mos kenë rol monitorues, por të përfshihet drejtpërdrejtë në zgjidhjen e krizës. Gjithashtu ai kërkoi edhe krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në vend.

“Dëshiron, apo jo Gruevski duhet të jep dorëheqje. Bashkë me të edhe bashkëpunëtorët e tjerë të këtij regjimi. Duhet të formohet qeveri kalimtare, e cila do të krijojë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare. Të gjitha mekanizmat shtetërore të kthehen në funksionim normal. Kemi ardhur këtu dhe nuk largohemi pa e kthyer Maqedoninë në situatë normale”, tha Zaev.

Në një moment, atij i është afruar një protestues shqiptar, i cili e ka pyetur se kur do të publikohen materialet për “Monstrën” dhe për rastet tjera.

Lideri opozitar i është përgjigjur se do t’i publikojë së shpejti, në një moment të përshtatshëm, ndërsa ka deklaruar se e gëzon fakti që në këto protesta marrin pjesë anëtarë të të gjitha komuniteteve etnike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *