Marshimi në kujtim të Boris Nemtsov

1 marsi do të shënonte një protestë masive opozitare në Rusi, e udhëhequr nga lideri Boris Nemtsov, por vrasja e tij ditën e premte i dha ngjarjeve një dinamikë krejt tjetër.

Kush ishte Boris Nemtsov?Perëndimi kërkon zbardhjen. Rusia: Vrasje për të destabilizuar vendinE diela e ktheu Moskën në skenën e një tubimi paqësor në kujtim të liderit opozitar Nemtsov, ku mijëra vetë mbushën rrugët me pankarta nëpër duar, si edhe duke vendosur kurora me lule apo duke ndezur qirinj.

Më herët, autoritetet ruse nuk kishin dhënë leje për zhvillimin e protestës opozitare, por pas ekzekutimit tragjik nuk e ndaluan tubimin paqësor të njerëzve në Moskë. Me këtë rast, policia e kryeqytetit i ka forcuar masat e sigurisë.

Por, në Rusi janë ngritur këmbanat e alarmit dhe po qarkullojnë teoritë e konspiracionit rreth motivit të vrasjes së kritikut më të ashpër të presidentit Vladimir Putin. Hetuesit kanë marrë në pyetje të parën Anna Durickajën, të dashurën 23-vjeçare të Nemtsovit. Ai dhe Anna, modele ukrainase, shoqëroheshin prej katër vitesh me njëri-tjetrin, por nata e së premtes çel disa dyshime për policinë. Ata ishin duke shëtitur sëbashku pas mesnate, kur nga një makinë ku ishin një grup njerëzish të maskuar, dikush zbriti dhe i qëlloi liderit të opozitës. E dashura e tij nuk u plagos.

Disa shërbime sekrete ruse flasin se vajza është një spiune ukrainase, e infiltruar për të ndikuar në mendimet e Borisit pro Kievit. Menjëherë pas tragjedisë, Putin e dënoi vrasjen dhe i urdhëroi tre agjencitë e zbatimit të ligjit për të hetuar krimin. Prokurorët thanë se janë duke zhvilluar hetime në disa pista të mundshme, përfshi edhe mundësinë që Nemtsov, një hebre, të jetë vrarë nga radikalët islamikë, apo që opozita ta ketë vrarë atë për të nxirë emrin e presidentit aktual.

Ndërsa kundërshtarët e Putinit thonë se alibi të tilla tregojnë cinizmin e udhëheqësve të Rusisë, teksa po nxisin vazhdimisht nacionalizmin, urrejtjen dhe histerinë antiperëndimore.

Por, ende nuk dihet asgjë rreth motiveve, qofshin ato politike, të lidhura me terrorizmin, apo personale. Por, sipas analistëve, diçka është e vërtetë: para se të vdiste, Nemtsov ishte arrestuar disa herë pasi kishte folur kundër qeverisë së Putinit. Në vitin 2011, ai u arrestua kur protestoi për rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, si edhe një vit më vonë për një tjetër protestë kundër shefit të Kremlinit, në qendër të Moskës.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *