Masakra në Vlorë, kapen tre autorë, dyshohet për larje hesapesh

Në një shkëmbim zjarri mes dy grupeve të armatosura në një lokal në qytetin e Vlorës, tre persona humbën jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur.
Sipas policisë ngjarja ndodhi rreth orës 14:15 minuta në lagjen “24 Maji” në ambientet e lokal “Adore”.

Dy grupe personash janë konfliktuar duke përdorur armë zjarri dhe për pasojë kanë mbetur të vdekur 3 persona. Ata janë; shtetasit Alfred Velaj, 28 vjeç, Haki Rakipaj, 27 vjeç dhe Albi Limaj, 28 vjeç. I plagosur ka mbetur shtetasi Aleksandër Llanaj, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

Policia njofton se arrestoi shtetasit Aleksandër Llanaj, Ani Delaj dhe Ervis Mehmeti, si autorë të dyshuar të masakrës së ndodhur, ndërsa është në kërkim edhe një person i katërt, që është larguar me automjet duke qëlluar në drejtim të vendit të ngjarjes.

Për këtë arsye policia ka nisur një operacion ndjekje dhe kërkimi si dhe janë ngritur postoblloqe në disa akse rrugore për të kapur të kërkuarin të identifikuar.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur dy pistoleta dhe janë bllokuar dy automjete BMË X5. Policia në vendngjarje ka ngritur grup të posaçëm hetimor me Prokurorinë dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Janë marrë në pyetje tre të ndaluarit dhe gjithë dëshmitarët në lokal.

Pistat e kësaj ngjarje janë disa, që nga sherri i çastit, te një konflikt i vjetër deri te larje hesapesh për çështje trafiqesh të ndryshme.

Sipas policisë pjesa më e madhe e personave të përfshirë në këtë konflikt janë persona me precedentë penale për vepra të ndryshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *