Mbledhja e njësisë së koordinimit, Rama-Meta: Koalicioni është solid

Është zhvilluar këtë të premte mbledhja e radhës e njësisë së koordinimit të koalicionit qeverisës, në përfundim të të cilit liderët e tij, Edi Rama dhe Ilir Meta kanë hedhur poshtë zërat për një ftohje dhe kanë deklaruar se aleanca mes tyre funksionon më së miri.

“Mos prisni asgjë tjetër veçse rritje të vendosmërisë për reformat dhe konsolidim të këtij koalicioni. Mos prisni asgjë nga ato që fantazoni. Zgjedhjet e parakohshme janë pjesë e kësaj fantazie. Forcën e koalicionit e përcaktojnë rezultatet, ecuria e reformave, progres-raporti, etj”, ka deklaruar Rama.

“Mos kujtoni se ka krizë në koalicion. Mos u bazoni tek thirrjet e “doktorit” në Facebook. Koalicioni është shumë i qëndrueshëm dhe po funksionon në mënyrë konstruktive”, ka thënë nga ana tjetër Meta.

Sa i takon mbledhjes së njësisë së koordinimit, dy liderët kanë vënë në dukje se në fokus të saj ka qenë progres-raporti i Komisionit Evropian, të cilin e kanë vlerësuar si më të mirin ndër vite.

“Këtë herë në fokus ka qenë progres-raporti, më i miri në historinë e Shqipërisë e që e vendos atë në një nivel të vlerësueshëm, njësoj si vendet që janë në prag negociatash. Ndërkohë jemi në prag edhe të buxhetit të ri dhe kemi diskutuar për ecurinë e disa sektorëve, për të garantuar një rritje të cilësisë së qeverisjes”, ka thënë Rama.

Ndërsa Meta është shprehur se shpreson që, “qeveria, Parlamenti dhe gjithë institucionet t’i përgjigjen progres-raportit me një angazhim më të vendosur”.

Sa i takon dorëheqjes së ministrit të Drejtësisë Nasip Naço dhe zëvendësimit të tij me Ylli Manjanin, të dy krerët e koalicionit kanë vlerësuar se, kjo lëvizje do të shërbejë si një shtysë për reformat.

“Ministri tjetër është zgjedhur për t’i dhënë shtytje reformës në drejtësi dhe për të krijuar kushtet që në kuadër të dialogut që çelet sot të ketë një përfshirje sa më të madhe të grupeve të interesit”, ka thënë Rama.

“Sa për zotin Naço, dorëheqja ka qenë një vendim i tij. Çdo ndryshim pastaj është bërë në konsultim me kryeministrin, pasi është ai që vendos”, ka shtuar Meta.

Ndër të tjera, kryeministri Rama ka prekur edhe pr/ligjin e shpifjes për të cilin ka ritheksuar se, “asnjëherë nuk ka pasur e nuk do ketë cënim të lirisë së shtypit”.

“Nisma synon këtë, që ata që paguhen nga taksat e popullit nuk mund t’i përdorin ato për të shpifur. Kurrë nuk do të cënohet asgjë që ka të bëjë me lirinë e medias, ndërsa shpifësve unë asgjë nuk do t’iu lë mangut”, ka thënë Rama.

Duke reaguar ndaj protestave të biznesit të vogël, ai u ka bërë thirrje tregëtarëve që të mos bien pre e mashtrimeve të opozitës.

“Asnjë e keqe nuk u vjen nga aksioni i tatimorëve. Do të ketë lehtësim të veprimtarisë së tyre, që do të rezultojë me përfitim financiar për ta. Jo vetëm që nuk do të ketë rritje taksash, por do të ketë një ndryshim rrënjësor të shërbimit ndaj tyre”, ka vijuar kryeministri.

Leave a Reply