Mblidhen kandidatët për Tiranën, Kosova e Veliaj prezantojnë strategjitë për biznesin

Kandidatët për Bashkinë e Tiranës janë mbledhur për herë të parë së bashku këtë të martë, në një aktivitet të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, me qëllim prezantimin e strategjive të tyre për biznesin.

I pari që ka marrë fjalën ka qenë kandidati demokrat, Halim Kosova, i cili ka deklaruar se për strategjinë e tij po punon me menaxherët më të mirë, të huaj e ndërkombëtarë.

“Po flas me menaxherët më të mirë, vendas e të huaj, për strategjinë ekonomike. Përqendrimi në bashkinë e ardhshme do të jetë si të hapen vende të reja pune. Ndërkohë, ulja e taksave do të jetë 30 për qind, pasi aq e lejon ligji, ndërsa do të ofrohen miliona dollarë fond garancie për të financuar bizneset”, ka thënë Kosova.

Mjeku i njohur ka vlerësuar se duhet të lehtësohen bizneset, si rruga e vetme për rritjen e ekonomisë. Ai ka shtuar më tej se bashkia e re do të ndërtojë stacionin multimodal, që sipas tij do t’u shërbejë qytetarëve, ndërsa ka premtuar edhe diferencimin e mbetjeve urbane.

Më pas, doktor Kosova ia ka lënë vendin kandidatit të majtë, Erjon Veliaj, me të cilin ka shtrënguar edhe duart. Në fjalën e tij, Veliaj ka deklaruar se strategjia e tij për zhvillimin përfshin ato reforma që kanë pasur sukses në qeverisjen qendrore.

“Strategjinë që ka funksionuar në qeveri do ta ushtroj edhe në Bashkinë e Tiranës. Iniciativa të suksesshme pranë qeverisë, si Këshilli Ekonomik, apo Këshilli i Punës janë thelbësorë për bashkinë”, ka deklaruar Veliaj.

Ish-ministri i Mirëqënies Sociale ka premtuar se brenda 100 ditëve të para Tirana do të ketë një plan zhvillimi konkret, që do të hartohet nga administrata e re e bashkisë.

Veliaj ka shtuar më tej se, në kryeqytet ka potenciale për modernizimin e tij dhe për zgjidhjen e problemeve parësore, që kanë të bëjnë me trafikun, ujërat e zeza, etj.

“Një treg ushqimor më të mirë mund ta kemi, një trafik më të mirë mund ta kemi. Nëse bashkia arrin të modernizojë shërbimet dhe kthen normalitetin në qytet, mund ta kthejë Tiranën në destinacion atraktiv për kompanitë shumëkombëshe”, ka thënë Veliaj.

Veliaj nuk i ka kursyer kritikat ndaj bashkisë aktuale, të cilën e ka cilësuar si të falimentuar kur ka thënë se mbledh vetëm 5 për qind të të ardhurave.

Prezantimit të strategjive i është bashkuar edhe kandidati i pavarur, Sazan Guri, i cili ka folur për një plan që do të mbështesë eko-biznesin.

“Do të nxisim ato biznese që kanë iniciativa e që respektojnë standardet e mjedisit. Për shembull kompanitë që përdorin energji alternative, që ndihmojnë në riparimin e kanalizimeve të ujërave të zeza, etj”, ka thënë Guri.

Pas Kosovës, Veliajt dhe Gurit, strategjitë e tyre do t’i shpalosin edhe kandidatët e tjerë

Leave a Reply