Merkel në Strasburg, mbështet “ushtrinë europiane”

Në një fjalim në Parlamentin Europian, kancelarja gjermane, Angela Merkel shpalosi vizionin e saj për të ardhmen e Europës. Një vit e gjysmë para zgjedhjeve për parlamentin europiane dhe ndërsa është në mandatin e saj të fundit, fjalimi i Merkel pritej me shumë interes.

Pas presidentit francez, Emmanuel Macron që u shpreh para pak ditësh për krijimin e një ushtrie europiane, çka u prit me kritika të forta nga presidenti amerikan, Donald Trump, edhe kancelarja Merkel u pozicionua në Strasburg. Ajo u shpreh pro krijimit të ushtrisë europiane. Në Parlamentin Europian në Strasburg, ajo e mbështeti idenë e presidentit francez.

“Ne duhet të punojmë për vizionin që një ditë të kemi edhe një ushtri të vërtetë europiane”, tha Merkel. Kancelarja Merkel në fjalimin e saj preku edhe çështjen e euros duke theksuar, se euro mund të funksionojë si monedhë e përbashkët, vetëm nëse të gjithë i kryejnë detyrimet e tyre.

“Monedha jonë e përbashkët mund të funksionojë nëse çdo shtet individual përmbush përgjegjësitë e tij për financa të qëndrueshme”, u shpreh Merkel. Tema e solidaritetit shoqëroi të gjithë fjalimin e saj në Strasburg ndërkohë që Merkel kërkoi edhe një politikë të përbashkët evropiane për azilin. Shumëkush në Europë beson se mungesa e Angela Merkel në skenën europiane do të shënojë një fazë të re në politikën europiane, ku aleancat socialisto-konservatore do të pësojnë rënie dhe politikanët populistë do të marrin më shumë pushtet në bllok. / Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *