Merkel vizitë në SHBA në fund të muajit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump do të presë më 27 prill kancelaren gjermane, Angela Merkel, në një takim ku pritet të diskutojnë mbi marrëveshjen bërthamore me Iranin, marrëdhëniet tregtare dhe ato ndër-atlantike.

Vizita e kancelares gjermane drejt Uashingtonit, do të vijë vetëm 3 ditë pas vizitës së presidentit francez, Emanuel Macron në Shtëpinë e Bardhë dhe fare pak përpara 1 Majit, datës që përkon me skadimin e afatit që përjashton Bashkimin Europian nga taksat e rritura për çelikun dhe aluminin e importuar.

E përditshmja gjermane “Bild”, thekson se udhëtimi i Merkelit në Shtetet e Bashkuara vjen gjithashtu pak ditë para 12 majit, afati i vendosur nga presidenti Trump për ndryshimin e marrëveshjes me Iranin, për të frenuar programin e tij bërthamor.

Gjithashtu, në vizitë nuk mund të mbeten pas dore as diskutimet për çështjen e Rusisë, marrëdhëniet e të cilës me Perëndimin, janë më të tendosura se kurrë, ndonëse vetë zyra e kancelares Merkel, nuk ka preferuar të bëjë të ditura detaje nga takimi i programuar.

Marrëdhëniet e kancelares me shefin e Shtëpisë së Bardhë zbritën në një nivel minimal pas zgjedhjes së tij në nëntor të 2016-s. Përpara bisedës telefonike, më 1 mars, ku u diskutua për Sirinë dhe Rusinë, dy liderët kishin ngrirë kontaktet mes tyre për më shumë se 5 muaj. Siç duket, zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare i kanë detyruar të rishikojnë strategjitë e tyre.

Leave a Reply