Meta dhe Panariti në Lushnje: Nxitje prodhimit vendas

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti dhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ishin këtë të shtunë në Lushnje, ku kanë marrrë pjesë në përurimin e një kooperative për prodhimin e luleshtrydhes. Në fjalën e tij, ministri Panariti ka premtuar rritje të mbështetjes së qeverisë për bujqësinë, me qëllim intensifikimin e prodhimit dhe eksportin e tij.

“Qeveria do t’i japë nxitje sektorit të bujqësisë dhe do t’u kushtojë më shumë vëmendje fermerëve në gjithë vendin. Ata do të përfitojnë 6.1 milionë euro grante”, ka thënë Panariti.

Ministri ka thënë gjithashtu se fokus i veçantë do t’u kushtohet produkteve bio, eksporti i të cilëve sipas tij do ta kthejë bujqësinë në motor të ekonomisë shqiptare.

Nga ana e tij, kreu i Kuvendit, Meta ka vlerësuar se kultura e prodhimit të luleshtrydhes do të krijojë rreth 2 mijë vende pune në zonën e Lushnjes, ndërsa do të sjellë fitime të sigurta.

Qëllimi i këtij prodhimi do të jetë, sipas Metës, eksporti i luleshtrydhes shqiptare, që bashkë me produktet e tjera vendase duhet të shumëfishojë praninë e saj në tregjet europiane.

Ndaj, kryeparlamentari nënvizoi se është e nevojshme një asistencë e posaçme, për të njohur sa më mirë tregun ndërkombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *