Meta, me kryebashkiakun e Palermos: Projekte të përbashkëta ekonomike e turistike

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u takua këtë të premte në Tiranë me kryetarin e Bashkisë së Palermos, Leoluca Orlando. Dy bashkëbiseduesit ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit dhe hartimin e projekteve të përbashkëta ekonomike, turistike dhe kulturore.

Z. Meta shprehu ndjenjat më të ngrohta të miqësisë së popullit shqiptar për Siçilinë dhe popullin e saj mik. Sipas tij, “ekziston një lidhje e fortë historike e miqësie mes dy popujve, e cila përforcohet edhe përmes pranisë së fshatrave arbëreshe në Siçili, lidhje që duhet materializuar në projekte konkrete bashkëpunimi dhe investimi për të ardhmen”.

Ndërsa kryebashkiaku i Palermos theksoi se, shqiptarët kanë një domethënie të veçantë për popullin siçilian, falë lidhjeve historike.

Meta dhe Orlando ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit dhe hartimin e projekteve të përbashkëta ekonomike, turistike dhe kulturore mes Siçilisë dhe Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit të shkëlqyer italo-shqiptar dhe të prioriteteve zhvillimore të hapësirës mesdhetare.

Zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë bëri të ditur se, gjatë ditës së premte, kryeparlamentari Meta u takua edhe me Presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, Tadateru Konoe, të cilin e falënderoi për kontributin e jashtëzakonshëm të Kryqit të Kuq në Shqipëri në vite.

Leave a Reply