Meta pret Schulz: Vullnet për reformat, prioritet ajo në drejtësi

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka pritur paraditen e kësaj të hëne kryetarin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, i cili po zhvillon një vizitë dyditore në Tiranë.

Në deklaratën e përbashkët për shtyp, duke u fokusuar tek zhvillimet ndërkombëtare, Meta ka përshëndetur fillimisht marrëveshjen mes Bashkimit Evropian dhe Greqisë, që sipas tij, “është e rëndësishme edhe për vendin tonë”.

Më pas Meta ka falenderuar zotin Schulz për “mbështetjen e integrimit të Shqipërisë dhe mbajtjen gjallë të perspektivës së zgjerimit të BE-së”.

“Marrëveshjet e arritura me Komisionin Evropian janë tepër të rëndësishme në rrugën e integrimit. I konfirmova zotit Schulz vullnetin për të avancuar me reformat dhe 5 prioritetet kyçe. Pas reformës territoriale, në fokus është ajo në drejtësi”, ka thënë Meta.

Ai ka vlerësuar asistencën teknike të Parlamentit Evropian në procesin për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Në linja të ngjashme, Schulz ka shprehur gjithashtu kënaqësinë e tij për marrëveshjen BE-Greqi. “Kjo deklaratë e përbashkët është e rëndësishme për BE, Greqinë, por edhe për Shqipërinë”, ka thënë Schulz.

Duke falenderuar qeverinë e Tiranës për ftesën, kreu i PE ka vlerësuar punën e Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit vendas e rajonal. “Ajo që është bërë në 2 vjet është shumë e rëndësishme. Për të ruajtur stabilitetin është e rëndësishme reforma në drejtësi”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se, “marrëdhëniet mes PE dhe Kuvendit të Shqipërisë do të vijnë duke u intensifikuar”. “Shpreh mbështetjen time për reformat që kanë nisur. Është e rëndësishme që ato të jenë të suksesshme dhe një rëndësi të vecantë këtu ka edhe debati politik”, ka thënë kryetari i PE.

Leave a Reply