Monopolet, korrupsioni dhe informaliteti pengojnë investimet

Publikohen gjetjet e raportit të të bërit biznes për vitin 2019

Monopolet, korrupsioni, burokracitë dhe informaliteti janë 4 problemet më të mëdha që kanë investitorët e huaj në Shqipëri.

Shoqata e Investitorëve të Huaj ka publikuar vëzhgimet e të bërit biznes në vitin 2019, ku për 6 muajt e parë të këtij viti, bizneset e huaja në Shqipëri e shohin klimën si jo të favorshme, kjo edhe për shkak të situatës politike, ndërsa pritshmëritë përmirësohen për pjesën e dytë të vitit.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, zgjodhi t’u përgjigjej dy çështjeve më shqetësuese: ajo tha se këtë vit ka nisur për herë të parë aplikimi i projektit që të gjitha pagesat mes bizneseve të bëhen në mënyrë elektronike.

“Është një projekt që Ministria e Financave e ka nisur këtë vit dhe mendohet se në vitet ’20-21 të gjithë pagesat do jenë më mënyrë elektronike. Kjo do ta ulte në një shkallë shumë të ndjeshme pjesën e informalitetit.”

Ndërsa nënvizoi reformën e bërë në fushë e deregulimit, ku pjesa më e madhe e licencave sot jepen online.

“Si rezultat i reformës së deregulimit sot 99 % e licencave jepen online, ndërsa 37 licenca po rishikohen për t’u revokuar, çka përbën një lehtësi të madhe dhe reduktim të burokracisë për bizneset.”

Në pyetësorin për marrëdhëniet e bizneseve me strukturën shtetërore rezulton se indeksi është në përmirësim për bashkëpunimin me administratën doganore, qeverinë qendrore e lokale, tatimet dhe në fund renditet gjyqësori.

Leave a Reply